Lëvizjet e para kanë filluar në kampin opozitarë shqiptarë në vend. ASH e Ziadin Selës braktisi zyrtarisht koalicionin AKI, ndërsa sipas informacioneve ende të pakonfirmuara – BDI mendon ta ndryshojë Statutin e partisë, konkretisht para Kongresit të dhjetorit, do t’i kthehet Statutit të vjetër të vitit 2002
Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, dinamika politike në kampin opozitar shqiptar është intensifikuar ndjeshëm. Lëvizjet e para kanë nxjerrë në pah jo vetëm ndasitë e brendshme, por edhe ripozicionimet strategjike të partive kryesore. Kryesia e Aleancës për Shqiptarët e Ziadin Selës, mbajti mbledhje në të cilën u diskutua situata aktuale politike, procesi dhe epilogu i zgjedhjeve lokale. Nga kjo parti bënë me dije se nga tani e tutje do të veprojnë në mënyrë autonome dhe si grup i pavarur në Kuvend, duke ndarë kështu rrugët me koalicionin AKI.“Periudhën në vijim, strukturat dhe eksponentët e partisë do të fillojnë me takime jo vetëm të anëtarëve të partisë, por edhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, aktorëve qytetar e politik dhe të çdo individi ose organizimi për të forcuar radhët tona dhe për të zhvilluar betejën tonë politike në këto momente shumë të ndjeshme politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftim.Ndërkohë, burime nga BDI bëjnë të ditur se kjo parti ka mbajtur mbledhje të kryesisë qendrore, ku kanë marrë vendim për të kthyer statutin e partisë të vitit 2002, ku për gjithçka, si zgjedhja e strukturave të partisë, kryetarëve të degëve, anëtarëve të kryesisë dhe strukturave tjera vendosë kryetari i partisë, në këtë rast Ali Ahmeti. Ky ndryshim vjen pas rezultatit në zgjedhje lokale, i cili ishte larg pritshmërive të BDI-së dhe koalicionit AKI, të cilin kjo parti e udhëheqi, si dhe pas paralajmërimit për mbajtje të kongresit, ku pritet të ketë ristrukturim të partisë së dalë nga lufta.Ndërkohë i pyetur rreth largimit të partisë së Ziadin Selës nga AKI, deputeti, njëherësh sekretari organizativ i BDI-së Blerim Bexheti tha se respektojnë këtë vendim të z.Sela, ndërsa presin që bashkëpunimi i tyre të vazhdojë si opozitë.“Ne kemi pasur dhe kemi një bashkëpunim dhe komunikim të shkëlqyeshëm. Ata dëshirojnë dhe kanë vendosur që ti kthehen vetvetes, gjë të cilën ne e përshëndesim, i përkrahim, që bashkërisht të gjitha subjektet opozitare, për të gjitha këto zhvillime që ndodhin në shtet, që bashkërisht ta rikthejmë situatën në normalitet, pasi që jemi dëshmitarë se në shumë fusha, ka regres jashtëzakonisht të madh”, theksoi deputeti i Frontit Evropian Blerim Bexheti. Ai njëherit njoftoi se grupi parlamentar i Frontit Evropian do të vazhdojë të funksionojë si i tillë edhe pa deputetët e Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës. “Realisht nëse ata kanë vendosur ashtu siç kanë njoftuar opinionin, gjithë deputetët tjerë që mendojnë se duhet të vazhdojmë, ndërse ne mendojmë se do të vazhdojnë edhe deputetë tjerë, do vazhdojmë si grup parlamentar i Frontit Evropian ashtu siç edhe e morën mandatin nga qytetarët. Duam që të jemi konsekuent deri në fund”, theksoi Bexheti. Gjithashtu, Bexheti bëri të ditur se bashkëpunimi me partinë e Ziadin Selës do të vazhdojë në të gjitha komunat, në të cilat kanë garuar si koalicion me lista të përbashkëta.“Nëse e keni dëgjuar z. Sela dhe të tjerët normalisht që grupet e këshilltarëve do të vazhdojnë ti bashkërendisin aktivitetet e tyre në të gjitha komunat”, deklaroi Bexheti. Megjithatë edhe pas daljes së Selës nga koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim dhe nga grupi parlamentar i Frontit Evropian, Bexheti vlerëson se bashkëpunimi me këtë parti do të vazhdojë edhe më tej, për faktin se ASH ka njoftuar se do të veprojë si opozitë.“Nëse mirë i kam kuptuar unë ato do të vazhdojnë të veprojnë si opozitë dhe normalisht që do të kemi komunikim edhe në periudhën e ardhshme. Ne kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer në grupin parlamentar. Deri para pak kohësh unë kam qenë edhe koordinator i grupit parlamentar, kemi pasur komunikim dhe bashkëpunim në nivelin më të lartë. Për vendimet e tyre të mëtejshme do të duhet ti pyesni ato”, theksoi Bexheti.Ndërkohë, pas shkëputjes së ASH-së së Selës nga AKI, kanë reaguar nga koalicioni VLEN. Koalicioni AKI, i ndërtuar pa kauzë, pa vizion dhe pa orientim të qartë politik, po hyn në fazën e shpërbërjes së pashmangshme, vlerësojnë nga koalicioni VLEN. “Ajo që ndodhi dje me largimin e ASH-së së Ziadin Selës dhe largimi i Krenar Llogës nga ky koalicion tregojnë qartë krizën e thellë të brendshme, mungesën e kohezionit dhe dështimin për të ndërtuar një ofertë politike të qëndrueshme. Mos koordinimi i tyre i vazhdueshëm është bërë tashmë model i dështimit, jo vetëm që nuk arrijnë të formësojnë një drejtim të përbashkët, por çdo ditë dëshmojnë se ky koalicion ka funksionuar vetëm si strehë e interesave të ngushta personale, jo si projekt politik për shqiptarët”, vlerësojnë nga VLEN.Sipas koalicionit shqiptarë në pushtet, ata mbeten forca e vetme e konsoliduar, me program, vizion dhe me strukturë të qartë shtet-ndërtuese.“Ndërsa AKI po shpërbëhet pjesë-pjesë, qytetarët dhe figura të rëndësishme politike po rikthehen aty ku gjendet stabiliteti, serioziteti dhe perspektiva e vërtetë”, njoftojnë nga VLEN. Nga atje theksojnë, do të vazhdojë të punojë me përgjegjësi dhe transparencë, duke mbrojtur interesin e përgjithshëm dhe duke ndërtuar një të ardhme të sigurt për qytetarët, ndërsa të tjerët merren me shpërndarjen e një koalicioni që asnjëherë nuk e pati një kauzë të vetën.Kujtojmë se Sela madje është shprehur se do të bëhet pjesë e Qeverisë nëse pranohen tre kushte. Ai ka theksuar se kusht që ai të jetë pjesë e shumicës janë: miratimi i ndryshimeve kushtetuese, zëvendësimi i termit “20%” me “gjuha shqipe” në Kushtetutë, si dhe vendosja e Badenterit në Gjykatën Kushtetuese. Kryeministri Mickoski thotë se fare nuk i ka dëgjuar kushtet që Sela i ka vendosur për t’u bërë pjesë e shumicës qeverisëse. Ai dje në një paraqitje në një emision tha se parimisht ai nuk funksionon me ultimatume dhe kushtëzime.“Në parim jo, nuk punoj nën ultimatume apo kushtëzime. Asnjëherë në jetë nuk punoj kështu dhe mendoj se është qasje e gabuar të komunikohet me mua në atë mënyrë. Mendoj, nëse dikush mendon se me ultimatume ose kushte do të më zbutë apo të më tërheqë, mendoj se ky është rruga më e gabuar që ka zgjedhur”, tha Mickoski. Përndryshe, zgjerimin e shumicës parlamentare me deputetë të tjerë ka kohë që po e paralajmërojnë eksponent të VLEN-it
tag_katrorimaqedoni_2