Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu para seancës së Kuvendit për formimin e qeverisë, tha se PDK nuk ka votë për Konjufcën.
“Absolutisht qëndrimi i PDK-së mbetet i qartë edhe në momentin kur është vendos për një mandatar të dytë të qeverisë nga presidentja ne kemi qenë të bindur se kjo është vetëm një përpjekje për të zvarritur edhe më tutje status quo-n, për të zvarritur gjendjen e rënduar në të cilën është vendosur Kosova tash e nëntë muaj, sepse të njëjtit jo vetëm që nuk kanë mundësi t‘i marrin votat, por kanë refuzuar të bashkëpunojnë , janë përpjekur tash e sa kohë të vendosin diktat në mënyrën se si e shohin qeverisjen“, u shpreh Deliu.
Më tej ajo tha se PDK nuk mund t’i jap besimin dikujt që e ka stagnuar zhvillimin ekonomik dhe e ka vendosur Kosovën në pikën me të ulët të raporteve të partneritetit të saj.
“Arbitrariteti i shkeljes së rendit kushtetuese, mënyra se si janë sjell në Kuvend duke refuzuar çdo zë të çështjeve kushtetuese të njohësve, pra flet për arrogancën e paparë të përpjekjes për diktat dhe nënshtrim“, tha Deliu.