Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj qeverisë në detyrë duke e akuzuar atë për dëmtim të rëndë të interesave shtetërore të Kosovës.
Ai tha se mbi 613 milionë euro fonde nga IPA dhe Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ËBIF) janë pezulluar për shkak të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian, të cilat, sipas tij, janë rezultat i veprimeve të ekzekutivit.
Haradinaj theksoi se raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur pikën më të ulët, ndërsa akuzoi qeverinë për veprime jashtëligjore dhe uzurpim të institucioneve.
Sipas tij, ata që kanë shkaktuar këto dëme tani po bëjnë thirrje që, sërish në kundërshtim me rendin kushtetues, të mblidhen e të votojnë buxhet dhe marrëveshje “në emër të interesave të Kosovës”.
“Ku ka interes më madhor për Republikën e Kosovës sesa respektimi i ligjit dhe Kushtetutës nga vetë bartësit e institucioneve? Ku ka interes më madhor sesa mirëmbajtja dhe forcimi i raporteve me SHBA-në, BE-në, aleatët tanë strategjikë?” ka shrkuar Haradinaj, duke shtuar se qeveria e ka bërë “leckë ligjin dhe Kushtetutën, ndërsa shtetin e ka kthyer në lodër”.