Ilir Deda ka reaguar pas “seancës” së sotme të thirrur nga VV për miratimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, buxhetin për tri komuna dhe RTK’në.
Ai ka thënë se “ambienti politik po duket si një çerdhe ku pas çdo veprimi bëhet me gisht ndaj atij tjetrit “ky ka faj, unë s’kam faj””.
“Ambienti politik po duket si një çerdhe ku pas çdo veprimi bëhet me gisht ndaj atij tjetrit “ky ka faj, unë s’kam faj”. Si po duket shumë më e rëndësishme është “kush ka faj” se gjetja e zgjidheve për këtë vend e njerëzit që jetojnë këtu.”
Sipas tij cështjet e marrëveshjeve ndërkombëtare do duhej të zgjidheshin me biseda mes partive politike.
“Në çdo vend tjetër normal, çështjet e marrëveshjeve ndërkombëtare do të zgjidheshin në biseda ndërmjet partive politike dhe do të gjindej zgjidhje për financim derisa të propozohet buxheti nga një qeveri legjitime. Pa imponim, dhe duke u ndëgju mes vete, e gjitha që të arrihej interesi primar – funksionimi i shtetit. Partitë që do të refuzonin të jenë pjesë e zgjidhjes do të shiheshin nga vetë qytetarët si të papërgjegjshme dhe do të paguanin çmim në zgjedhje.”
Deda ka thënë se po shihet mungesa e rolit të presidentes.
“Njejtë, i pari i shtetit do të bënte çmos që të gjindej një zgjidhje. Në rastin tonë, po shihet qartë mungesa e rolit të Presidentes të vendit – nuk pamë së paku takime të përditshme me partitë, përpos veprimeve që shumë më tepër janë veprime për rirreshtim për zgjedhje në pranverë se sa veprime konform përgjegjësisë elementare e rolit kushtetues. E kështu, me shumë zhurmë e pa kurrfarë sensi racional, shkaktohen kriza të reja. Natyrisht në fund qytetarët paguajnë çmim, por “gishtin e fajit” në fund mund t’ja drejtojnë veç vetes nëse nuk mirret asnjë mësim nga i gjithë viti 2025.”