38-vjet burgim për vrasjen që nuk e kreu, si e detyroi policia të pranonte fajin - Gazeta Express
string(79) "38-vjet-burgim-per-vrasjen-qe-nuk-e-kreu-si-e-detyroi-policia-te-pranonte-fajin"

Lajme

Gazeta Express

19/11/2025 10:11

38-vjet burgim për vrasjen që nuk e kreu, si e detyroi policia të pranonte fajin

Lajme

Gazeta Express

19/11/2025 10:11

Viktima e padrejtësisë 38-vjeçare ka rrëfyer se është rrahur nga policët dhe se ishte “ngacmuar” që rrejshëm të pranonte vrasjen.

Peter Sullivan beson se i ishte montuar rasti në vitin 1986 për vrasjen e Diane Sindall, e cila ishte vënë në kurth dhe rrahur për vdekje gjatë një sulmi të rëndë seksual në Wirral të Anglisë.

Sullivan, i cili ka vështirësi në të mësuar, i ishte ndërprerë dënimi me burgim nga Gjykata e Apelit në maj pas testeve të reja të ADN-së.

Ai tani dëshiron kërkimfalje nga Policia Merseyside. Departamenti ka deklaruar se shpreh keqardhje për padrejtësinë, por ka insistuar se policët kanë vepruar në përputhje me ligjin në atë kohë.

Duke folur nga një lokacion i panjohur dhe me fytyrë të fshehur për të mbrojtur privatësinë e tij, Sullivan ka thënë se dëshiron një sqarim se përse detektivët e “zgjodhën atë”.

“Nuk mund t’ua falë për atë që më kanë bërë sepse do të më mbetet me mua për krejt jetën”, thotë ai, duke shtuar se ka humbur gjithçka prejse hyri në burg.

“Më duhet të mbaj barrën derisa të marrë një kërkim falje”, shton ai.

Sullivan dhe familja e tij me dekada janë përndjekur nga mediat dhe shpesh është quajtur “Bisha i Birkenhead”, “Xhelati i Mersey” dhe “Njeriu-ujk”.

“Emrat, gjithmonë m’i kanë vënë ani pse kurrë nuk kam qenë i tillë”, thotë ai.

Sullivan kishte prekur fundin, por kishte gjithmonë përkrahjen e prindërve që vdiqën pak para se ai të dilte i pafajshëm për krimin.

“Nëna para se të vdiste më tha: ‘dua që të vazhdosh betejën për këtë rast sepse nuk ke bërë asgjë të gabuar’”, tregon Sullivan.

Në një prej momenteve më të rënda në burg, Sullivan rrëfen se ishte dita kur iu mohua pjesëmarrja në varrimin e nënës në vitin 2013 sepse ishte e varrosur në varrezën e njëjtë me Sindall, vajza e vrarë, rast për të cilin padrejtësisht ishte dënuar ai.

Tmerri për Sullivan nisi pas 2 gushtit 1986 kur trupi gjysmë i zhveshur i 21-vjeçares Sindall ishte gjetur me lëndime të rënda në një fushë në Birkenhead.

Dy javë më vonë, rrobat e saja gjysmë të djegura ishin gjetur në Bidston Hill, zonë pyjore rreth 1 orë larg trupit ku ishte gjetur.

Pas transmetimit të një dokumentari në BBC Crimewatch, dëshmitarët nisën të pohonin se e kishin parë Sullivanin në një pub afër skenës së vrasjes po atë natë, teksa të tjerët e kanë përshkruar me rrobat që kishte veshur të nesërmen.

Ai u arrestua më 23 shtator të vitit 1986 si i dyshuar për vrasjen. Ishte intervistuar 22 herë për 4 javë.

Në shtatë intervistat e tij të para iu mohuan këshillat ligjore dhe përvoja e kishte tmerruar.

“Po më vendosnin gjëra në mendjen time, pastaj më kthyen prapë në burg, pastaj erdhën prapë dhe thoshin çfarëdo që dëshironin pa e ditur se çfarë po bëja unë atë kohë”, rrëfen Sullivan.

Gjatë mbajtjes në burg, Sullivan pohon se është rrahur në dy raste nga policët.

“Ma vendosën çarçafin në kohë dhe filluan të më godisnin me qëllim që të bashkëpunoja me ta”, thotë ai.

Sullivan gjithashtu ka dëshmuar se policët i kishin thënë se nëse nuk dëshmonte, do të ngarkohej me 35 akuza të tjera të përdhunimit. Atij iu mohua edhe ushqimi e gjumi.

I pyetur se përse e pranoi fajin për vrasjen që nuk e kishte kryer, Sullivan rrëfen se nuk mund të duronte më.

“Krejt çka mund të them është se ngacmimet më detyruan t’i çoja duart sepse nuk mund ta përballoja më”, thotë ai.

Dokumentet e Apelit kanë konfirmuar se hera e parë kur ai kishte pranuar fajin nuk ishte regjistruar dhe nuk kishte as dëshmitar. Intervistat e tjera ishin regjistruar.

Fundi i makthit të tij nisi në vitin 2023, kur Komisioni për Rishikimin e rasteve kriminale – urdhëroi teste të reja të spermës që ishte gjetur në trupin e Sindall në vitin 1986.

Në majin e vitit 2025, kur Apeli rrëzoi rastin, Sullivan po merrte pjesë nëpërmjet videolidhjes.

Kur erdhi vendimi se rasti im ishte mbyllur, shpërtheva në lot”, thotë ai.

Pranë tij ato momente ishte një pjesëtare e sigurisë.

“Ajo u kthye kah unë dhe më tha: ‘Peter, do të shkosh në shtëpi…’”, tregon ai.

“Pastaj lotët nuk më ndaleshin dhe thash me vete: ‘po, drejtësia u arrit’”, thotë në fund Sullivan.