ZRrE këmbëngul për tregun e hapur, OEK  i kërkon asaj ta respektojë vendimin e Supremes - Gazeta Express
string(85) "zrre-kembengul-per-tregun-e-hapur-oek-i-kerkon-asaj-ta-respektoje-vendimin-e-supremes"

Lajme

Gazeta Express

19/11/2025 7:31

ZRrE këmbëngul për tregun e hapur, OEK  i kërkon asaj ta respektojë vendimin e Supremes

Lajme

Gazeta Express

19/11/2025 7:31

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), ka komentuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës lidhur me furnizimi me energji elektrike në treg të hapur, duke theksuar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike vazhdon, por se do të shfuqizojë dispozitat e udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut.

ZRrE ka theksuar se furnizimi me energji elektrike në treg të hapur i këtyre konsumatorëve është detyrim ligjor që tejkalon kompetencat e ZRrE-së.

 ZRrE mirëpret Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës P.A.nr.18/2025 lidhur me implementimin e detyrimeve që rrjedhin nga Ligji për Energjinë Elektrike.

“Bazuar në pikën IV të Aktgjykimit është hudhur poshtë kërkesëpadia e paditësit përmes së cilës është kërkuar shfuqizimi dhe shpallja e paligjshme e Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, poashtu është hudhur poshtë edhe kërkesëpadia për korrigjimin e faturave, si dhe shfuqizimin e të gjitha kontratave individuale për konsumatorët jofamiljar, si të palejueshme. Rrjedhimisht, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike vazhdon, krahas vlefshmërisë së kontratave ekzistuese të konsumatorëve në treg të hapur, të cilat vazhdojnë të mbeten në fuqi.

Lexo po ashtuBuxheti i vitit 2026 në proces të hartimit nga qeveria në detyrë, pretendon ta miratojë para 31 tetoritPo ashtu Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar dy dispozita të Udhëzuesve për Liberalizimin e Tregut të Energjisë të viteve 2017-2019 pasi që ka konstatuar se ato nuk janë të harmonizuara me legjislacionin e energjisë. ZRrE është duke ndjekur procedurat e brendshme ligjore për shfuqizimin e këtyre dispozitave.

Sipas Ligjit për Energjinë Elektrike, të drejtën për furnizim me energji elektrike me tarifa të rregulluara e gëzojnë vetëm konsumatorët që kualifikohen për Shërbim Universal. E drejta e furnizimit me tarifa të rregulluara nga ZRrE, në bazë të vendimit të ZRrE-së për tarifa me pakicë për vitin 2025 – që është konsideruar i ligjshëm nga Gjykata – nuk është bazuar në dispozitat e shfuqizuara të Udhëzuesit.

Gjykata ka vërtetuar se e drejta për furnizim me tarifa të rregulluara të energjisë elektrike u takon vetëm konsumatorëve të kualifikuar për Shërbim Universal, që është në përputhje të plotë me Vendimin e Bordit të ZRrE-së për tarifat me pakicë për vitin 2025 dhe Direktivën për Energji Elektrike të Bashkimit Evropian 2009/72/EC. ZRrE sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, ka për obligim të përcaktojë tarifa të energjisë elektrike me pakicë vetëm për konsumatorët e energjisë elektrike që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal, dhe jo për konsumatorët që nuk i plotësojnë kriteret e furnizimit me shërbim universal. Rrjedhimisht, Ligji për Energjinë Elektrike përcakton që këta konsumatorë duhet të furnizohen në treg të hapur. Furnizimi me energji elektrike në treg të hapur i këtyre konsumatorëve është detyrim ligjor që tejkalon kompetencat e ZRrE-së.

Në pajtim me pikën IV të Aktgjykimit, ZRrE ka publikuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës dhe do të shfuqizojë dispozitat e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna ka thënë se vendim i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë lidhur me çështjen e daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike ka dëmtuar rëndë ekonominë, bizneset dhe qytetarët e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Rafuna në një konferencë për media ka thënë se pati inflacion mbi 5.1 për qind, e për çka i bëri thirrje ZRRE-s që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Supreme rreth kësaj.

Ai ka theksuar se nuk është kundër dalje në treg të hapur por duhet të bëhet një diskutim.

“ZRRE duhet të ulet bashkë me sektorin privat në mënyrë që të caktohet kur të dalim në tregun e lirë. Në aspektin ekonomik ZRRE me interpretimin që ka bërë ka shkaktuar dëm të madh sektorit privat dhe ekonomisë së vendit. Në aspektin ekonomik ZRRE me interpretimin që ka bërë dhe veprimet që ka ndërmarrë i ka shkaktu dëm të madh sektorit privat, ekonomisë së vendit por edhe qytetarëve t ë Republikës së Kosovës. Sipas të dhënave të ASK, ato të dhëna na argumentojnë se inflacioni ka kaluar 5.1 për qind, dhe shtytësi kryesor i këtij inflacionit, që nënkupton i ka varfëruar qytetarët, është pikërisht rritja e çmimit të energjisë elektrike. Derisa në muajin qershor ka qenë 5.4 ndikimi në inflacion i çmimit të rrymës së energjisë elektrike në muajin shtator ka arrit 17.4, kurse në tetor ka arrit në 20.5 për qind. Dmth çmimi i energjisë elektrike jo veç që e ka varfëru biznesin tonë duke mos e bërë konkurrent, pro prodhimin e Kosovës ka bërë konkurrent kundrejt mallrave të importuara. Por e ka varfëruar edhe xhepin e qytetarëve, sepse inflacioni drejtpërdrejt e ulë standardin jetësore të qytetarëve. Me këtë rast ka pësuar ekonomia sepse bizneset nuk kanë pasë mundësi për shkak të një veprimi të kundërligjshëm të ZRRE të i zgjerojnë investimet e veta apo të sjellin investime të huaja. Dëmi është shumë i madh. Këtu ne i bëjmë thirrje ZRRE që të zbatojë vendimin e Supremes ashtu siç është shkruar sepse është aktvendim i formës së prerë”, ka thënë Rafuna.

Ai ka paralajmëruar se do të ndërmarrin veprime të tjera në rast se ZRRE nuk zbaton vendimin.

“Nëse nuk ndodhë OE do të marrë vendime të tjera, se në këtë rast edhe Prokuroria Speciale do të fillonte procedura, sepse në mënyrë të kundërligjshme i kanë nxjerrë bizneset. Me vetëdije apo jo i kanë bërë”, theksoi ai.

Avokati i rastit Ekrem Hoxha ka shpjeguar aspektin ligjor.

“Kjo urdhëresë nënkupton që ZRRE duhet ta njoftoj KESCO-n. Ne presim që ZRRE ta respektojë këtë aktgjykim dhe të fillojë procedurat e korrigjimit. Asnjë nga shtetet e rajonit apo shtetet e BE-së nuk e ka zgjedhur modelin e Kosovës. Shtetet e BE-së e bëjnë liberalizimin në treg të hapur në bazë të konsumit të energjisë elektrike. Ne presim që ZRRE ta respektojë këtë aktgjykim dhe presim që faturat e radhës të mos jenë në çmime të rritura, nëse zbatohet kjo Oda do të jetë partner institucional dhe të ofrojë kontributin e saj real dhe në ndihmesë në ekonominë vendore”, tha ai.