A është seanca e orës 11:00 e kundërligjshme, çka thotë ligji? - Gazeta Express
string(59) "a-eshte-seanca-e-ores-1100-e-kunderligjshme-cka-thote-ligji"

Lajme

Gazeta Express

19/11/2025 6:58

A është seanca e orës 11:00 e kundërligjshme, çka thotë ligji?

Lajme

Gazeta Express

19/11/2025 6:58

Tri partitë më të mëdha ish-opozitare, PDK, LDK dhe AAK, kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë nesër në seancën e parë, pasi sipas tyre, ajo është e paligjshme dhe kundër rendit kushtetues të vendit.

Seanca e ftuar për orën 11:00, edhe pse është kërkuar nga 40 deputetë, është formalisht e pazbatueshme dhe joefektive, pasi nuk është ndërtuar mbi vendimmarrjen e Kryesisë së Kuvendit në përputhje me nenet 19 dhe 20 të Rregullores, nuk respekton detyrimin që në fillim të legjislaturës të përcaktohen numri, struktura dhe fushëveprimi i komisioneve parlamentare dhe nuk bazohet në një ekuilibër të konsoliduar shumicë–opozitë.

Në aspektin material, rendi i ditës përfshin pika që nuk mund të procedohen ligjërisht, si formimi i komisioneve në mungesë të marrëveshjes paraprake në Kryesi, shqyrtimi i projektligjit të buxhetit pa komisione funksionale dhe në kundërshtim me nenet 80–82 të Rregullores, ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në kundërshtim me nenin 31 të Ligjit për Qeverinë dhe nenin 83 të Rregullores, si dhe miratimi i buxheteve komunale dhe çështje të tjera financiare që tejkalojnë kufijtë e kompetencave të një qeverie në dorëheqje.

Neni 24 i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë siguron një rregullim ligjor të vazhdimësisë financiare në mungesë të ligjit të ri për ndarjet buxhetore, duke e zgjatur në mënyrë të kufizuar ligjin e vitit të kaluar (pra, ligjin e vitit 2025, për tre muajt e parë të vitit 2026), me qëllim të shmangies së çdo vakumi financiar. Ky përcaktim ligjor e bën të panevojshëm dhe të pajustifikueshëm çdo pretendim se miratimi urgjent i buxhetit, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, është domosdoshmëri.

Për më tepër, përjashtimi i parashikuar në nenin 31 paragrafi 2 të Ligjit për Qeverinë, për mundësinë që qeveria në dorëheqje t’i propozojë buxhetin Kuvendit, në këtë rast është i pazbatueshëm, pasi nisma është e komprometuar nga papajtueshmëria dhe konflikti i interesit, duke qenë se të njëjtit persona kanë vepruar njëkohësisht si anëtarë të Qeverisë dhe si deputetë në lidhje me të njëjtin projektligj buxheti.

Së fundi, fakti që procedura e nenit 95 të Kushtetutës për zgjedhjen e Qeverisë është në zhvillim e sipër do të thotë se çdo veprim i ndërmjetëm i Kuvendit me peshë të madhe financiare, politike dhe ndërkombëtare bie ndesh me rendin kushtetues dhe me logjikën e kësaj procedure. Kuvendi, deri në përfundimin e këtij procesi, me zgjedhjen e Qeverisë ose me shpërndarjen e tij dhe shpalljen e zgjedhjeve, nuk mund të marrë vendime që në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë i paraprijnë vendimit se kush ushtron mandatin qeverisës.

Në këto rrethana, në mënyrë të pakontestueshme është fare e qartë se seanca e propozuar e orës 11:00 është jo vetëm proceduralisht e parregullt, por edhe materialisht e papajtueshme me Kushtetutën, ligjet dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.