Princi i Kurorës Saudite dhe udhëheqësi de facto i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, i premtoi sot Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, një investim prej 1 trilion dollarësh në Shtetet e Bashkuara.
“Ne besojmë në të ardhmen e Amerikës. Z. President, besoj se sot dhe nesër do të jemi në gjendje të njoftojmë se do ta rrisim atë investim prej 600 miliardë dollarësh në pothuajse 1 trilion dollarë”, tha ai në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.
Gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë, Mohammed bin Salman tha se Arabia Saudite është e gatshme të punojë drejt njohjes së Izraelit “sa më shpejt të jetë e mundur”, nëse plotësohen kushtet e duhura, duke iu referuar qartë zgjidhjes me dy shtete në Lindjen e Mesme.
“Ne duam të marrim pjesë në Marrëveshjet e Abrahamit. Por duam gjithashtu të sigurohemi që rruga drejt një zgjidhjeje me dy shtete të jetë e përcaktuar qartë”, tha ai në Zyrën Ovale.
Ai shtoi se kishte pasur një “diskutim konstruktiv” me presidentin amerikan dhe se “do të punojmë për të krijuar kushtet e duhura sa më shpejt të jetë e mundur” për të arritur këtë objektiv.
Presidenti Trump deklaroi se vendi i tij do t’i shesë Arabisë Saudite avionë luftarakë F-35, në një marrëveshje të ngjashme me atë që SHBA ka me Izraelin.
“Sipas meje, të dy vendet janë në një nivel që e meritojnë kategorinë më të lartë (F-35)”, tha Trump, duke i përshkruar Arabinë Saudite dhe Izraelin si aleatë të fortë.
Ai zbuloi gjithashtu mundësinë e një marrëveshjeje për energjinë bërthamore me Arabinë Saudite, duke thënë se beson se është e mundur të arrihet një marrëveshje me mbretërinë. /Top Channel.