Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka thirrur seancë të jashtëzakonshme, për nesër në ora 11:00.
Ky subjekt politik thotë se seanca është thirrur për të trajtuar çështjet dhe sfidat që presin përpara Kosovën.
Siç thuhet në njoftim, kjo seancë përfshin tema të rëndësishme si buxheti për vitin 2026, buxheti për RTK-në dhe buxheti për disa komuna.
Komunikata e plotë:
Lëvizja VETËVENDOSJE!, grupi i saj parlamentar, ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për nesër në orën 11:00, për të trajtuar çështjet dhe sfidat që presin përpara vendin tonë.
Ndër të tjera, kjo seancë përfshin tema të rëndësishme si buxheti për vitin 2026, buxheti për RTK-në dhe buxheti për disa komuna. Po ashtu, në këtë seancë pesë pika të rendit të ditës trajtojnë marrëveshje ndërkombëtare në vlerë prej një miliard euro financim, prej tyre 90 milionë euro grant nga BE-ja.
Ftojmë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që me racionalitet e maturi t’i përgjigjen kësaj seance dhe kësisoj të votojnë këto ligje e marrëveshje të rëndësishme, që vendi të mos përballet me sfida të tilla dhe kështu të ecim përpara.
Kujtojmë se në vitin 2020 Lëvizja VETËVENDOSJE! pati votuar për buxhetin e vitit 2021 edhe pasi Gjykata Kushtetuese e pati rrëzuar, shpallur jokushtetuese Qeverinë Hoti dhe vendi po shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.