Ish-ministri dhe akademiku, Arsim Bajrami, në një intervistë për FRONTAL të T7 ka folur për procesin gjyqësor të Hagës dhe dëshminë që ka dhënë këtë javë gjenerali amerikan në pension Wesley Clark, shkruan Express.
Sipas profesorit Bajrami, përmbyllja e dëshmitarëve të mbrojtjes me një emër si Clark është skenari më i mirë i mbrojtjes, meqë sipas tij, Clark është dëshmitari kryesor dhe protagonisti i luftës.
Bajrami në FRONTAL ka thënë se Clark dëshmoi që aktakuza për ndërmarrje të përbashkët kriminale është krejtësisht politike dhe e pabazë dhe se lufta e UÇK-së ka qenë luftë e popullit dhe luftë tipike guerile.
“Skenari më i mirë i mbrojtjes, sepse po përmbyllet me dëshmitarin më të rëndësishëm. Po përmbyllet me dëshmi të fuqishme dhe dëshmitarin kryesor, protagonistin e luftës. Besoj ka dhënë dëshmi që aktakuza për ndërmarrje të përbashkët kriminale është krejtësisht politike, e pabazë dhe e paqëndrueshme. Ai tregoi se lufta e UÇK-së ka qenë luftë e popullit, tipike guerile dhe s’ka ekzistuar asnjë mundësi faktike apo formale për ndërmarrje të përbashkët kriminale”, ka thënë Bajrami.
Ai tutje ka potencuar se dëshmia e Clark do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në vendimin final të trupit gjykues për Thaçin dhe të tjerët.
“Dëshmia e Clark do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në verdiktin final dhe besoj që trupi gjykues do ta peshojë kredibilitetin e kësaj dëshmie. Sot ata e patën dëshmitarin kyç, që nën betim dy herë, e tregoi të vërtetën, që fatkeqësisht deri në këtë fazë ka qenë e shtrembëruar, sepse komplet procesi në speciale është nisur me narrativë të falsifikuar”, ka thënë Bajrami./Express/
