ZRRE reagon pas vendimit të Supremes: Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike vazhdon - Gazeta Express
string(101) "zrre-reagon-pas-vendimit-te-supremes-procesi-i-liberalizimit-te-tregut-te-energjise-elektrike-vazhdon"

Lajme

Gazeta Express

18/11/2025 16:08

ZRRE reagon pas vendimit të Supremes: Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike vazhdon

Lajme

Gazeta Express

18/11/2025 16:08

Zyra e Rregullatorit për Energji, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me çështjen e tregut të lirë, duke thënë se bazuar në aktgjykim është hedhur poshtë ërkesëpadia e paditësit përmes së cilës është kërkuar shfuqizimi dhe shpallja e paligjshme e Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike.

Nga ZRRE është thënë edhe se, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike vazhdon, krahas vlefshmërisë së kontratave ekzistuese të konsumatorëve në treg të hapur, të cilat vazhdojnë të mbeten në fuqi.

‘’Gjykata ka vërtetuar se e drejta për furnizim me tarifa të rregulluara të energjisë elektrike u takon vetëm konsumatorëve të kualifikuar për Shërbim Universal, që është në përputhje të plotë me Vendimin e Bordit të ZRrE-së për tarifat me pakicë për vitin 2025 dhe Direktivën për Energji Elektrike të Bashkimit Evropian 2009/72/EC’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Postimi i plotë:

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) mirëpret Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës P.A.nr.18/2025 lidhur me implementimin e detyrimeve që rrjedhin nga Ligji për Energjinë Elektrike.

Bazuar në pikën IV të Aktgjykimit është hudhur poshtë kërkesëpadia e paditësit përmes së cilës është kërkuar shfuqizimi dhe shpallja e paligjshme e Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, poashtu është hudhur poshtë edhe kërkesëpadia për korrigjimin e faturave, si dhe shfuqizimin e të gjitha kontratave individuale për konsumatorët jofamiljar, si të palejueshme. Rrjedhimisht, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike vazhdon, krahas vlefshmërisë së kontratave ekzistuese të konsumatorëve në treg të hapur, të cilat vazhdojnë të mbeten në fuqi.

Poashtu Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar dy dispozita të Udhëzuesve për Liberalizimin e Tregut të Energjisë të viteve 2017-2019 pasi që ka konstatuar se ato nuk janë të harmonizuara me legjislacionin e energjisë. ZRrE është duke ndjekur procedurat e brendshme ligjore për shfuqizimin e këtyre dispozitave.

Sipas Ligjit për Energjinë Elektrike, të drejtën për furnizim me energji elektrike me tarifa të rregulluara e gëzojnë vetëm konsumatorët që kualifikohen për Shërbim Universal. E drejta e furnizimit me tarifa të rregulluara nga ZRrE, në bazë të vendimit të ZRrE-së për tarifa me pakicë për vitin 2025 – që është konsideruar i ligjshëm nga Gjykata – nuk është bazuar në dispozitat e shfuqizuara të Udhëzuesit.

Gjykata ka vërtetuar se e drejta për furnizim me tarifa të rregulluara të energjisë elektrike u takon vetëm konsumatorëve të kualifikuar për Shërbim Universal, që është në përputhje të plotë me Vendimin e Bordit të ZRrE-së për tarifat me pakicë për vitin 2025 dhe Direktivën për Energji Elektrike të Bashkimit Evropian 2009/72/EC. ZRrE sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, ka për obligim të përcaktojë tarifa të energjisë elektrike me pakicë vetëm për konsumatorët e energjisë elektrike që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal, dhe jo për konsumatorët që nuk i plotësojnë kriteret e furnizimit me shërbim universal. Rrjedhimisht, Ligji për Energjinë Elektrike përcakton që këta konsumatorë duhet të furnizohen në treg të hapur. Furnizimi me energji elektrike në treg të hapur i këtyre konsumatorëve është detyrim ligjor që tejkalon kompetencat e ZRrE-së.

Në pajtim me pikën IV të Aktgjykimit, ZRrE ka publikuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës dhe do të shfuqizojë dispozitat e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut.