“Çka s’shoh” në Hanin e dy Robertëve - Gazeta Express
string(33) "cka-sshoh-ne-hanin-e-dy-roberteve"

Arte

Gazeta Express

18/11/2025 15:55

“Çka s’shoh” në Hanin e dy Robertëve

Arte

Gazeta Express

18/11/2025 15:55

Më 20 nëntor, nga ora 19:00 në Hanin e dy Robertëve do të mbahet ekspozita personale e Arbër Sahiti “Çka s’shoh”.

Mugëtira e të pakonceptueshmes

Arbër Sahiti i takon brezit të artistëve kosovarë postkonceptualistë, të cilët po i rikthehen mediumeve klasike të shprehjes artistike. Në këtë rast, fjala është për pikturën. Mirëpo, “rehabilitimi” i pikturës nuk ndodh pa një pakt paraprak me konceptin, që e rikthen atë në medium preferencial të shprehjes. Ky konceptualizim i Sahitit, me ose pa vetëdije, lidhet me botëkuptimin platonist mbi realitetin, i cili shpërfaqet që në titullin e opusit “Çka s’shoh”.

Ky titull, me ose pa pikëpyetje, të dy leximet janë të mundshme, si dy gjendje agregati të zëvendësueshme, i referohet paradoksit të shikimit dhe perceptimit të realitetit. Në teorinë dhe praktikën e arteve pamore, ky paradoks ringjall dyshimin se ajo që shohim me sy, dhe ajo që përgatitet të shihet me sy, në të vërtetë nuk është e vërteta e realitetit, por dritëhije të një suprarealiteti të ideve dhe koncepteve. Platoni këtë raport e ka shpjeguar me alegorinë e famshme të shpellës: në këtë botë jetohet si në shpellë, ku me sy shohim vetëm hijet e ideve dhe të vërtetave. Si shpellarë shohim vetëm dritëhijet e mugëta të ideve.

Piktura e Arbër Sahitit konceptohet si përjetim i kësaj mugëtire. Nëse shikimi është iluzion, atëherë i gjithë konstruksioni ynë “realist”, ajo që shohim, është i çalë, gjysmak, mashtrues. Edhe vetë shpellarin Sahiti e paraqet gjysmak, madje karikaturalisht. Ai nuk ka sy, as zgavra të syve. Edhe trupat paraqiten të papërsosur, të parealizuar deri në fund, madje të pangjyrë, të vetëm si dritëhije trishtimi. Për më tepër, në kompozicionet me grupe personash, ai nuk i tregon ballazi me fytyra, por nga shpina, në poza përpëlitjesh jetësore mbase dramatike, por pa u dhënë shpjegim, duke ua hequr edhe horizontin e shpresës.

Në një nga kompozicionet, disa njerëz të kthyer me shpinë qëndrojnë pranë gërmadhës së një tempulli të lashtë dhe shikojnë perëndimin e diellit në horizont. Kjo më kujton, për krahasim, pikturën e famshme të Muslim Mulliqit “Hamalli”, ku hamalli i vetmuar paraqitet i kthyer me shpinë pranë një muri që ia kufizon pamjen dhe lirinë, por që të paktën ia lejon të shohë dritën e qiellit dhe shpresën përtej murit.

Te Sahiti, dielli shndrit, por mbetet i largët, mistik; ai nuk lë vend për shpresë, por vetëm për trishtim dhe pakuptimësi.

Nga Shkëlzen Maliqi