Një raport i ri qeveritar në Mbretërinë e Bashkuar sugjeron se frika nga ndryshimi i klimës, e njohur si “eco-fear”, mund të çojë tek rritja e përdorimit të drogës dhe rreziqe të tjera për shëndetin mendor.
Raporti, i përgatitur nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA), tregon se shqetësimet mbi klimën – të cilat mund të shfaqen si “eco-guilt” (ndjenja faji), “eco-grief” (pikëllimi ekomjedisor) dhe “eco-anger” (inati ndaj klimës) – janë të lidhura me rritjen e rrezikut për depresion, ankth, çrregullime pas-traumatike (PTSD) dhe madje edhe vetëvrasje.
Raporti gjithashtu paralajmëron se këto shqetësime mund të çojnë në sjellje të dhunshme, përfshirë dhunën në familje, veçanërisht pas fenomeneve ekstreme klimatike si përmbytjet, zjarret apo thatësirat. Efektet mund të jenë të gjata, duke zgjasur nga muaj, vite dhe deri në dekada, dhe kanë ndikim të veçantë tek fermerët dhe komunitetet bujqësore, ku sfidat ekzistuese të shëndetit mendor përshkallëzohen.

Megjithatë, ndikimi nuk ndjehet vetëm nga ata që janë prekur drejtpërdrejt nga katastrofat klimatike. Raporti nënvizon se ndërgjegjësimi për ndryshimin e klimës mund të shkaktojë një gamë të gjerë emocionesh – nga trishtimi, frika dhe inati, tek paniku, ndjenja e pafuqisë dhe humbja e motivimit. Këto mund të rrisin rrezikun e stresit psikologjik dhe përdorimit të substancave.
Raporti vëren gjithashtu një lidhje midis temperaturave të larta dhe problemeve mendore, duke treguar rrezik më të lartë të vetëvrasjeve dhe vizitave në spitale për arsye mendore gjatë valëve të nxehtësisë. Kjo pritet të rrisë gjithashtu presionin mbi shërbimet shëndetësore.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto sfida mund të sjellin edhe një ndryshim pozitiv: veprimi për klimën mund të zbutë stresin mjedisor, të përmirësojë mirëqenien dhe të krijojë ndjesinë e kontrollit dhe komunitetit.
Raporti thekson se ndërgjegjësimi dhe veprimi ndaj ndryshimeve klimatike mund të jenë një mënyrë për të përballuar efektet e frikës dhe ankthit, duke i dhënë individëve mjete për të përmirësuar shëndetin mendor dhe emocionet e tyre. /GazetaExpress/