Eseja e javës/ Peter Singer: Kur vrasin doktorët - Gazeta Express
string(46) "eseja-e-javes-peter-singer-kur-vrasin-doktoret"

Arte

Gazeta Express

14/11/2025 16:53

Eseja e javës/ Peter Singer: Kur vrasin doktorët

Arte

Gazeta Express

14/11/2025 16:53

Peter Albert David Singer (1946), filozof moral australian, profesor emeritus I bioetikës në Universitetin e Princetonit. Vepra e Singerit ka të bëjë posaçërisht me etika e aplikuara, të qasura nga një perspektivë sekulare utilitare. 

KUR VRASIN DOKTORËT 

Nga të gjitha argumentet kundër eutanazisë së vullnetshme, ai me më ndikim është ai i “slippery slope”: posa që t’i lejojmë njëherë doktorët të vrasin pacientët, nuk do të jemi më në gjendje t’ua kufizojmë vrasjen atyre që duan të vdesin.

Nuk ka evidencë për një pretendim të tillë, as edhe pas shumë vitesh të vetëvrasjes së asistuar mjekësore legale ose eutanazisë në Holandë, Belgjikë, Luksemburg, Zvicër dhe në Oregonin e Shteteve të Bashkuara. Por zbulimet e fundit rreth asaj se çfarë ka ndodhur në një spital të New Orleansit pas uraganit Kaltrina çojnë te një rrezik i vërtetë nga një burim tjetër.

Kur u përmbyt New Orleansi në gushtin e vitit 2005, niveli i ngritur i ujit ndërpreu punën e Memoral Medical Center, një spital komunitar që po mbante më shumë se 200 pacientë. Tri ditë pasi që goditi uragani, spitali nuk kishte më energji elektrike, furnizimi me ujë ishte ndërprerë dhe tualetet nuk mund të pastroheshin më. Disa pacientë që ishin të varur nga ventilatorët kishin vdekur. 

Në vapën mbytëse, doktorët dhe infermieret ishin nën presion të madh të kujdeseshin për pacientët e mbijetuar në shtretërit për toke. Ankthit i shtohej frika se ligji dhe rendi kishin reshtur së mbretëruari në qytet dhe se edhe vetë spitali mund të ishte shenjestër e banditëve të armatosur. 

Kishin thirrur helikopterët të evakuonin pacientët. Prioritet iu ishte dhënë atyre që ishin në gjendje më të mirë shëndetësore dhe mund të ecnin. Policia kishte arritur dhe iu kishte thënë stafit se për shkak të trazirave shoqërore, të gjithë duhej të largoheshin nga spitali nga ora 17. Në katin e tetë, Jannie Burgess, një grua 79-vjeçare me kancer të avancuar, ishte duke marrë morfinën dhe afër vdekjes. Për ta evakuar duhej të bartej poshtë gjashtë kate nëpër shkallë dhe do të kërkonte kujdesin e infermiereve, për të cilat kishte nevojë diku tjetër. Por nëse do të lihej pa kujdes, atëherë mund ta lëshonte qetësuesi dhe të vuante. Ewing Cook, njëri prej mjekëve të pranishëm, i udhëzoi infermieret të shtojnë dozën e morfinës, “duke i dhënë mjaftueshëm derisa të shkojë.” Kjo ishte, I kishte thënë më vonë Sheri Finkut, që së fundmi ka botuar një përmbledhje të atyre ngjarjeve në New York Times, një gjë “e pamenduar gjatë.” Sipas Finkut, Anna Pou, një tjetër mjeke, iu kishte thënë stafit të infermiereve se disa pacientë në katin e shtatë ishin po ashtu tepër të sëmurë për të mbijetuar. Ajo iu kishte injektuar atyre morfinë dhe ilaçe të tjera që kishin ngadalësuar frymëmarrjen e tyre derisa kishin vdekur. 

Të paktën njëri prej pacientëve të injektuar me kombinimin letal të ilaçeve duket të ketë qenë përndryshe në rrezik të vogël të vdekjes së menjëhershme. Emmett Everett ishte një 61-vjeçar, i cili ishte paralizuar në një aksident disa vite më parë dhe ishte në spital për operim që të largonte një pengesë në zorrë. Kur ishin evakuaar të tjerët nga pavijoni i tij, ai kishte kërkuar të mos e linin aty. Por ai peshonte 173 kilogramë dhe do të ishte skajshmërisht e vështirë të bartej teposhtë shkallëve dhe prapë lart ku gjendej helikopteri. I kishin thënë se injeksioni që do të merrte do ta ndihmonte me marramendjen nga e cila vuante. 

Në vitin 1957 një grup doktorësh kishin pyetur Papa Piun XII nëse ishte e lejueshme të përdoreshin narkotikët për të shuar dhimbjen dhe vetëdijen, “nëse parashohim se përdorimi I narkotikëve do të shkurtojë jetën.” Papa kishte thënë se ishte. Në Deklaratën e Eutanazisë, të lëshuar më 1980, Vatikani kishte riafirmuar këtë pikëpamje. 

Pozicioni i Vatikanit është një aplikim i asaj që është e njohur si “doktrina e efektit të dyfishtë.” Një veprim që ka dy efekte, një të mirë dhe tjetrin të keq, mund të jetë i lejueshëm nëse efekti i mirë është ai që synohet dhe efekti i keq është thjesht një pasojë e padëshiruar e arritjes së efektit të mirë. 

Në mënyrë doimethënëse, as vërejtjet e Papës as Deklarata e Eutanazisë nuk vënë theksin në rëndësinë e sigurimit të pajtimit të vullnetshëm dhe të mirinformuar të pacientëve, kur është e mundshme, para se t’iu shkurtohet jeta e tyre. 

Sipas doktrinës së efektit të dyfishtë, doktorët mund, në të gjitha dukjet e jashtme, ta bëjnë saktësisht të njëjtën gjë: do të thotë, ata mund t’u japin pacientëve në gjendjen identike një dozë identike të morfinës, duke e ditur se ajo dozë do ta shkurtojë jetën e pacientit. Prapë, një doktor, i cili mëton të lehtësojë dhimbjen e pacientit, vepron në përputhshmëri me praktikat e mira mjekësore, ndërsa tjetri, i cili mëton të shkurtojë jetën e pacientit, kryen vrasje. 

Dr. Cook kishte pasur pak kohë për hollësi të tilla. Vetëm “një doktor fort naiv” do të mendonte se duke i dhënë një personi një goxha sasi morfine nuk ishte “duke e dërguar parakohe në varr,” i kishte thënë ai Finkut dhe pastaj kishte shtuar troç: “I kemi mbytur.” Sipas mendimit të Cookut, vija mes diçkaje etike dhe diçkaje ilegale është “aq e hollë sa të mos perceptohet.”

Në Memorial Medical Center, mjekët dhe infermierët kishin gjetur veten nën një presion të madh. Të rraskapitur pas 72 orësh me fare pak gjumë dhe duke hequr zor të kujdesen për pacientët e vet, nuk ishin në pozicionin më të mirë të ndërmerrnin vendime etike. Doktrina e efektit të dyfishtë, e kuptuar drejt, nuk e justifikon atë që kanë bërë doktorët; por, duke i ambientuar me praktikat e shkurtimit të jetës së pacientëve pa e marrë pëlqimin e tyre, duket të kenë shtruar rrugën për vrasjen e qëllimshme. 

Mendimtarët e Kishës katolike kanë qenë në mesin e atyre që ishin më të zëshmit në evokimin e argumentit të “slippery slope” kundër legalizimit të eutanazisë vullnetare dhe vdekjes së asistuar mjekësore. Do të bënim mirë t’i shqyrtonin pasojat e doktrinave të tyre. 

/Marrë nga Peter Singer, ‘Ethics in the Real World’, Princeton University Press, 2023

/Përkthimi Gezeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement