Irina Cishiq e festoi ditëlindjen e saj të parë më 8 tetor 1993. Vetëm katër ditë më vonë, një plumb snajperi i mori jetën ndërsa po ecte për dore me nënën e saj në lagjen Ciglane të Sarajevës së rrethuar.
“Sepse Irina sapo kishte filluar të ecte, gruaja ime Stana e mbante për dore. Dhe kurrë nuk e kemi kuptuar pse dikush do të qëllonte një objektiv 50–60 centimetra, sa është një foshnje njëvjeçare, dhe jo gruan time – një shënjestër shumë më të lehtë,” rrëfen për Radion Evropa e Lirë babai i saj, Samir Cishiq.
Prej tridhjetë vitesh, prindërit e Irinës kërkojnë të dinë: a u vra vajza e tyre rastësisht apo për argëtim?
Hetimet e Milanos rikthejnë dhimbjen e familjeve në Sarajevë
Ditët e fundit, raportimet e mediave italiane kanë rihapur plagën e vjetër. Sipas gazetave Il Giorno, La Repubblica dhe agjencisë ANSA, Prokuroria e Milanos po heton pretendimet se të pasur nga vende të ndryshme kanë paguar shuma marramendëse për të qëlluar mbi civilët e Sarajevës — “për argëtim”.
Nga Prokuroria e Milanos nuk ka ende përgjigje se në cilën fazë ndodhet hetimi dhe kundër kujt është konkretisht i drejtuar.
Gjatë katër viteve të rrethimit, sipas të dhënave të organizatave të viktimave dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare: një në dhjetë fëmijë të vrarë në Sarajevë u vra nga snajperistët, mbi 14.000 fëmijë u plagosën, asnjë snajperist nuk është dënuar individualisht, as në vend, as ndërkombëtarisht.
Në aktgjykimet e saj, Gjykata e Hagës ka konkluduar se fushata e snajperëve kishte një qëllim të qartë: terrorizimin e popullatës civile të Sarajevës.
Florence Hartmann, ish-zëdhënëse e Prokurorisë së Hagës, thotë për REL se tribunali kishte dëgjuar zëra për ekzistencën e “ekspeditave turistike të vdekjes”.
“E dinim që diçka e tillë ekzistonte, por jo si ishte organizuar. Hetimi i sotëm është jashtëzakonisht i rëndësishëm – duhet zbuluar kush i organizoi,” deklaroi ajo.
Benjamina Kariq, kryetare e Komunës Novo Sarajevo, ishte vetë njëvjeçare kur filloi lufta. Pasi pa dokumentarin “Sarajevo Safari” në vitin 2022, ajo paraqiti kallëzim penal në Prokurorinë e Bosnjës e më pas edhe në atë italiane.
“Kur mendon se njerëzit e pasur vinin të shtunave e të dielave në Sarajevë për të vrarë fëmijët tanë – është diçka më e errët se çdo imagjinatë njerëzore,” tha Kariq për REL.
Derisa nuk kishte marrë përgjigje deri në mesin e vitit 2025, ajo, përmes Ambasadës së Italisë në Bosnje, dorëzoi plotësim të kallëzimit me prova të reja që ia kishte dorëzuar gazetari italian Ezio Gavazzeni. Pikërisht ai i hapi rrugë hetimit në Milano, me ndihmën e ish-gjyqtarit Guido Salvini.
“Gjithçka që po ndodh këto ditë na jep një grimë shprese se një pjesë e drejtësisë më në fund do të vihet në vend,” theksoi Kariq.