Roli i zorrëve në çrregullimet e spektrit autik ka tërhequr vëmendje të madhe në vitet e fundit, por ekspertët thonë se nuk ka asnjë provë shkencore që mikrobioma e zorrëve shkakton autizëm.
Prej kohësh dihet se personat me autizëm kanë shqetësime më të shpeshta gastrointestinale, përfshirë sindromën e zorrës së irrituar dhe dhimbje abdominale.
Disa studime kanë treguar se ata kanë një përbërje të ndryshme të baktereve në zorrë krahasuar me njerëzit neurotipikë, dhe janë bërë pretendime se përmirësimi i florës bakteriale përmes dietës mund të ndikojë pozitivisht në sjellje ose funksione njohëse.
Megjithatë, sipas një analize të re të botuar në revistën shkencore Neuron, këto pretendime janë të pabazuara dhe metodologjikisht të gabuara.
“Asnjë provë që mikrobioma shkakton autizëm”
“Pavarësisht çfarë keni lexuar apo parë në Netflix, nuk ka asnjë provë që mikrobioma e zorrëve kontribuon drejtpërdrejt në autizëm,” deklaroi Dr. Kevin Mitchell, neurobiolog zhvillimor nga Trinity College Dublin.
Ai shtoi se autizmi është kryesisht një çrregullim me bazë gjenetike, dhe se burimet kërkimore duhet të përqendrohen më shumë në këtë drejtim.
Autorët e studimit theksojnë se shumica e hulumtimeve të deritanishme mbi lidhjen mes mikrobiomës dhe autizmit kanë përdorur mostra shumë të vogla dhe metoda joadekuate.
Në disa raste, studimet kanë përfshirë vetëm 7 deri në 43 pjesëmarrës, shumë më pak se minimumi i kërkuar për rezultate statistikisht të vlefshme.
“Autizmi nuk është një gjendje e rrallë – prandaj nuk ka asnjë arsye që studimet të kufizohen në 20 ose 30 persona,” tha Dr. Darren Dahly, epidemiolog ushqimor dhe bashkautor i studimit.
Kur zhduket dallimi – kur merret parasysh dieta
Kur studimet marrin në konsideratë faktorë të tjerë si dieta, gjenetika apo mënyra e jetesës, ndryshimet e dukshme në mikrobiomë zhduken, duke treguar se nuk ka asnjë lidhje shkakësore mes mikrobeve të zorrëve dhe autizmit.
Sipas Dr. Mitchell, mund të ndodhë e kundërta:
“Ka më shumë prova që vetë autizmi ndikon në mënyrën si ushqehet një person — dhe kjo pastaj ndikon në mikrobiomën e tij.”
Personat me autizëm shpesh përjetojnë vështirësi në komunikim dhe ndërveprim shoqëror, gjë që mund të ndikojë në zakonet ushqimore, ankthin dhe stresin, duke reflektuar ndryshime në sistemin tretës.
Megjithatë, autorët theksojnë se këto ndryshime janë të ndryshme nga personi në person, prandaj nuk mund të krijojnë një model të qëndrueshëm mikrobiomik që shpjegon autizmin.
Një teori që ka arritur fundin
Bazuar në mungesën e provave të besueshme dhe mungesën e progresit shkencor në këtë fushë, studiuesit përfundojnë se teoria se autizmi shkaktohet nga zorrët ka arritur në një “fund të vdekur”.
Ata theksojnë:
“Nëse e pranoni mesazhin tonë, keni dy rrugë: ose ndaloni së punuari në këtë drejtim, gjë që do të ishte e mirëpritur, ose – nëse vazhdoni – kryeni studime shumë më rigoroze.”
Autizmi: Çfarë duhet të dimë
Autizmi nuk është një sëmundje dhe nuk është i shërueshëm. Është një gjendje neurozhvillimore me të cilën lind një person dhe që ndikon në mënyrën se si ai percepton dhe ndërvepron me botën.
Sipas të dhënave të NHS dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 1 në 100 persona është në spektrin autik.
Personat autikë mund të:
kenë vështirësi në komunikim dhe ndërveprime shoqërore’
ndihen të mbingarkuar nga dritat apo zhurmat e forta;
kenë vështirësi në kuptimin e emocioneve të të tjerëve;
përjetojnë ankth ndaj situatave të panjohura;l
kenë sjellje ose mendime të përsëritura.
Shkaqet e autizmit nuk janë plotësisht të qarta. Studimet tregojnë një rol të fortë të gjenetikës, por faktorë si komplikimet gjatë lindjes apo ndotja e ajrit mund të kenë ndikim të kufizuar.
Autizmi nuk shkaktohet nga vaksinat, ushqimi, infeksionet, apo stili i prindërimit – mite që janë hedhur poshtë prej kohësh nga komuniteti shkencor.
Një kujtesë e rëndësishme për diagnostikimin
Komisionerja për Fëmijët në Britani ka paralajmëruar se fëmijët që presin me vite për diagnostikim të autizmit në sistemin publik shëndetësor po “u vidhet fëmijëria”.
Të dhënat tregojnë se një në gjashtë fëmijë pret më shumë se katër vjet për një diagnozë përmes shërbimeve komunitare të NHS-së.
Ekspertët theksojnë rëndësinë e ndërhyrjes së hershme, mbështetjes familjare dhe përfshirjes shoqërore, duke rikujtuar se autizmi nuk është sëmundje për t’u kuruar, por një mënyrë ndryshe e të qenit dhe të menduarit. /GazetaExpress/