“Miku im, si të bëjë para”, i shkruan Chat GPT-së thuajse çdo ditë H.B, 23-vjeçar nga Prizreni.
Vijon studimet për ekonomi në Prishtinë, por ka treguar për ngecje në to rezultat i punës në Prizren, në një prej kafiterive të qytetit.
“Paguhem 400 euro neto”, tregon ai, pagë me të cilën mban familjen, dy prindërit e moshuar, motrën dhe vëllain nën 18-vjeç, ky i fundit me probleme shëndetësore.
Pos tjerash, ai ndikohet edhe nga rritja e çmimeve në Kosovës, sidomos e energjisë elektrike.
“Thuajse gati 100 euro shkojnë për rrymë çdo muaj”, përshkruan ai, sesi fatura e energjisë elektrike ia avullon rreth 25% të pagës mujore.
Kur flet për familjen tregon për një motër tjetër, më e rritur e cila është e martuar dhe jeton në Gjermani, e cila iu ndihmon me dërgesa financiare.
“Motra na dërgon pare 200-300 euro çdo 3-4 muaj, aq ka mundësi. Faleminderit prej saj, kisha shku edhe unë atje me punu po nuk po kam si me lë prindërit e vëllain, as 3 muaj me liberalizim s’po mundem me shku me nxjerr ndonjë pare”, përshkruan 23-vjeçari.
Ngarkesa financiare po ia cenon shëndetin mendor të riut, i cili ka treguar simptoma si dridhje të trupit, pagjumësi dhe ndryshim oreksi.
“Edhe kur punoj pasdite zgjohem në ora 8, përkundër se kam qëndruar zgjuar deri 3-4 të mëngjesit. Më zgjon panika se çfarë të bëje me jetën”, përshkruan gjendjen.
I riu ka treguar se ka raste kur buzëqesh shumë, madje dhe me gjëra jo shumë humoristike.
“Kaniherë 3-4 natës keshi me zo me disa reels në Instagram, çka me bë, po duhet me kesh prej zori, me u çliru. Pare jo, të dashur jo, shokë pak, m’u ranu s’muj”, vazhdon rrëfimi.
E pranon që ndikohet nga ajo që plasohet në Instagram nga miqtë virtualë.
“Nisi e krahasoj veten me tjerët, pse veç unë s’kam bë sen”, tregon ai.
Rrëfimin e ndan edhe me “mikun” e tij virtual Chat GPT, që i jepë shpresë për jetën, siç përshkruan ai – thotë se ia merr parasysh të gjitha këshillat.
“CHAT GPT-ja m’i ka dhënë do ideja t’mira biznesi, sa ta marrë pak energjinë duhet me bë diçka, se niher për niher s’po muj, as pare me nis diçka nuk po kam”, thotë ai.

Kur i ndezët drita e kuqe mendjes?

Bind Skeja nga Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS), ka thënë se gjithçka që çrregullon jetën e njeriut nga ajo që ka qenë më parë nënkupton shenja të problemeve me shëndetin mendor.
Ai mori shembull gjumin e shumtë apo të paktë, oreksin si të ngrënit shumë ushqim apo pak, mungesë energjie dhe vizioni për të ardhmen, po ashtu edhe rrahje të shpejtuar të zemrës.
Skeja ka treguar se manifestimi i stresit dhe ankthit për shkaqe ekonomike nuk dallon për nga simptomat kur shkaku i stresit dhe ankthit është joekonomik.
“Manifestimi i stresit dhe ankthit tek personat që kanë probleme ekonomike nuk dallon në esencë, vetëm dallon ku e merr drejtimin. Në atë që unë mund të kem ankth prej mungesës së financave dhe kjo manifestohet me pagjumësi apo gjumë të tepërt, sepse kanë problem të ballafaqohet me sfidat që iu dalin. Po ashtu, në këtë kuptim nuk ka dallim mënyra si manifestohet dhe ka dallim arsyet pse po e sjellin. Gjithçka e çrregullon njeriun nga ajo që ka jetuar deri tash. Këto janë simptoma që dikush nuk është mirë, brenda individit ka rrahje të shpeshtuara të zemrës kur ka ndjenja të ankthit. Kur nuk e dinë çka po bëhet më tej, nuk ke vizion për të ardhmen sepse je i kapur në momentin me të cilin po ballafaqohesh. Në disa raste mundet me u manifestu si sulm i panikut. Janë të llojllojshme, varet prej secilit individ”, ka thënë ai.
Ekonomia është një nga faktorët kyç që ndikon në cenimin e shëndetit mendor te të rinjët, por specifikat janë të veçanta te secili individ, tregon Skeja.
“Ndikimi i ekonomisë në shëndet mendor, është njëri nga faktorët kyç, të identifikohet nëse dikush do të ketë probleme të shëndetit mendor, mendime për vetëvrasje. Nuk është e gjitha e vendosur në ekonomi, dikush ndoshta që nuk e ka asnjë cent në xhep mundet me jetu një jetë të lumtur, varet prej individit; dikush është më i cenueshëm ndaj problemeve ekonomike, e dikush jo. Po flasim në terma gjeneralë, është një faktor domethënës që tregon nëse dikush ka me manifestu depresion apo ankth”, ka thënë ai.
Problemet ekonomike lidhen me pamundësinë e individit për të bërë atë që do, të dalë me shoqëri apo të eksperimentojë në udhëtime.
“Ne jemi qenie që jetojmë në komunitet dhe liria ekonomike është ajo që na mundëson neve me qenë pjesë e komunitetit; nuk mundesh me dalë në kafiq me shoqëri, nuk mund të dalë me bë zgjedhjet e tua, kufizohesh brenda asaj flukse me të cilën ti kushtëzohesh që me vazhdu me luftu për ekzistencën tënde. E ke stresin e ekzistencës dhe pamundësisë me marrë pjesë në komunitet”, ka thënë Skeja.
Tutje, drejtori i QIPS thotë se shteti duhet të punësojë më shumë psikologë në shkolla, fakultete dhe qendra të mjekësive familjare. Por, që puna të mos arrijë deri në këtë pikë, ai kërkon nga shteti përkrahje për të rinjtë që të realizojnë potencialin e tyre.
Gjendja ekonomike e të rinjve në Kosovë
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), papunësia e të rinjve 15-24 vjeç në Kosovë për tremujorin e fundit të vitit 2024 ishte 18.4%. E ndarë në gjini, meshkujt 15.5%, ndërsa gratë përbëjnë nivel më të lartë të papunësisë 23.7%.
Ndërsa, paga mesatare në Kosovë bruto është 639 euro, meqë pagesa në bazë të përvojës është më e lartë, të rinjtë paguhen dukshëm më pak.
Një tjetër faktor që ka ndikuar është edhe inflacioni sidomos pas vitit 2020 për shkak të pandemisë COVID-19 dhe agresionit rus në Ukrainë, në qershor dhe korrik të vitit 2022 inflacioni kishte arritur normën mbi 14 për qind.
Në vitin 2023, USAID e kishte hartuar një raport për ndikimin e inflacionit në shumë sfera, në mesin e tyre edhe në shëndetin mendor. Sipas raportit, në mesin e pjesëmarrësve në anketë, gati gjysma e të anketuarve raportuan se kishin përjetuar stres, ankth ose shqetësim për inflacionin. 16% raportuan një nivel të lartë stresi, ankthi ose shqetësimi për shkak të inflacionit dhe 31% treguan një nivel të moderuar.

Referuar etnisë, inflacioni ka ndikuar në shëndetin mendor më së shumti te pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, 51.8% prej tyre kishin shprehur nivele të larta të stresit dhe inflacionit.

Për sa i përket gjinisë niveli ëshë më i përafërt, 50.1 e grave janë shprehur si shumë të stresuar për shkak të inflacionit, ndërsa te meshkujt kjo shifër shkon në 55.8%.

Truri dhe kuleta si të lidhura mes vete

Kosova ballafaqohet me një realitet të vrazhdë ekonomik për të rinjtë, ku rritja makroekonomike e qëndrueshme nuk ka sjellë përmirësim në jetesën e tyre, ka thënë Brikena Hoxha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), e cila thekson se treguesit kryesorë ekonomikë flasin për përkeqësim të dukshëm të kushteve të jetesës.
“Papunësia mes të rinjve 15–24 vjeç është rritur nga 17.3% në vitin 2023 në mbi 18% në fund të vitit 2024. Por, edhe ata që punojnë shpesh mbeten në pasiguri, pasi 1 në 3 punon pa kontratë formale, mbi 60% marrin pagë të pjesshme në para të gatshme dhe paga mesatare reale mbetet më e ulët se kostoja minimale e jetesës,” thotë Hoxha.
Sipas të dhënave të Numbeo 2025, shpenzimet mujore për një të ri që jeton vetëm në Prishtinë variojnë nga 400 deri në 500 euro pa qira, ndërsa bashkë me qira shkojnë mbi 700–800 euro.
“Paga minimale në Kosovë është 350 euro, ndërsa paga mesatare për të rinjtë rrallë e kalon 450–550 euro. Shumë të rinj punojnë, por nuk arrijnë të dalin nga varfëria ose varësia familjare,” shton ajo.
Një problem tjetër kritik është mungesa e sistemit të sigurimeve shëndetësore dhe sociale.
“Kosova mbetet i vetmi vend në rajon pa fond të sigurimeve shëndetësore, pa sigurim të papunësisë dhe me skemën më të kufizuar të pensioneve kontributive. Çdo barrë ekonomike bie drejtpërdrejt mbi individin,” thekson Hoxha.
Kjo pasiguri ekonomike ka pasoja të drejtpërdrejta te shëndeti mendor. Studimet tregojnë një rritje të simptomave të ankthit, lodhjes emocionale dhe gjendjeve depresive te të rinjtë.
“Shumë të rinj ndihen të lodhur, të pasigurt dhe të pashpresë. Pasiguria ekonomike përkthehet lehtësisht në stres psikologjik, duke ndikuar motivimin dhe vendimet për të qëndruar apo emigruar”, shpjegon Hoxha.
Sipas IKS, zgjidhja duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke propozuar krijim të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fondit për Sigurime Sociale, Fondit të Sigurimit të Papunësisë dhe formalizimi i tregut të punës. Ajo shton se pagesa minimale duhet të lidhet me koston reale të jetesës, ndërsa praktikat e paguara dhe qendrat për formim profesional mund të rrisin sigurinë e të rinjve.
“Pa një rrjet minimal sigurie sociale, emigrimi nuk do të jetë zgjedhje, por mënyra më racionale për të rinjtë që kërkojnë stabilitet dhe dinjitet,” përfundon ajo.
Ekonomia e dobët, anije që hedh të rinjtë në lumin e emocioneve

Dr. Valbona Tafilaj, psikiatre në Qendrën Klinike Univeristare të Kosovës (QKUK), ka thënë se në Kosovë po rritet numri i të rinjve që përballen me pasiguri ekonomike dhe financiare, teksa përballen me probleme psikologjike që shpesh kërkojnë trajtim profesional.
Sipas saj, kjo gjendje po manifeston simptoma të dukshme emocionale dhe të sjelljes.
“Tek të rinjtë që kanë arritur një moshë ku pritet të kenë siguri ekonomike dhe financiare, fillojnë të shfaqen simptoma që kërkojnë trajtim psiko-emocional,” shpjegon Tafilaj. Ajo shton se situata e krijuar nga pamundësia për të gjetur punë, për të qenë të pavarur dhe për të ndërtuar jetën e tyre, po ndikon drejtpërdrejt te shëndeti mendor.
Tutje, ajo ka folur për simptomat që zakonisht përballen të rinjtë të cilët përballen me probleme ekonomike.
“Zakonisht manifestohet me pagjumësi, nervozizëm, mbyllje në vetvete, ndjenja të pashprese dhe të pavlerës, si dhe me agresivitet. Një fenomen tjetër i shfaqur është përdorimi i substancave psikoaktive,” thotë Tafilaj.
E ardhmja si enigmë bën që ankthi i të rinjve të lidhet me frikën për të ardhmen, dështimet profesionale dhe pamundësinë për pavarësi ekonomike. Në rastet e depresionit, simptomat përfshijnë ndjenja të pavlerësisë, mungesë motivimi, humbje interesi për aktivitete dhe vetëfajësim.
“Pasiguria ekonomike dhe financiare ndikon në formimin e personalitetit dhe në mënyrën se si të rinjtë ndihen të rëndësishëm në shoqëri,” thekson psikiatria.
Tafilaj paralajmëron se mungesa e qëndrueshmërisë financiare mund të çojë në veprime radikale, përfshirë edhe vetëvrasjen.
“Vetëvlerësimi i të rinjve bëhet shumë i ulët, ata ndihen të pavlefshëm dhe kjo shkakton çrregullime të ankthit dhe depresionit. Ata e gjejnë veten të detyruar të jenë të varur nga prindërit dhe ka shumë vështirësi në krijimin e lidhjeve të qëndrueshme”, ka deklaruar tutje ajo.
Ajo shton se zgjidhja duhet të jetë gjithëpërfshirëse: ofrimi i vendeve të punës, angazhime që sjellin të ardhura dhe politika sociale që krijojnë ndjesi sigurie dhe perspektivë të qëndrueshme.
Paraja si autoritet shoqëror

Mirëqenia ekonomike dhe financiare është ngushtë e lidhur me mirëqenien mendore dhe sociale, thekson sociologu Labinot Kunushevci. Ai ka shpjeguar se në rrethana të pafavorshme ekonomike, individët përballen me kriza dhe vështirësi në konsolidimin e identitetit social, zhvillimin profesional dhe krijimin e reputacionit.
“Paraja shpeshherë instrumentalizohet si mjet autoriteti në shoqëri. Ajo herë-herë bëhet mjet arrogance dhe force, imponimi e diktati, lojaliteti e kompromisi, shantazhi e diskriminimi,” thotë Kunushevci. “Por kur përdoret ndershëm, paraja ofron burime të lumturisë dhe siguri”.
Sociologu Kunushevci vazhdon duke thënë se sistemi aktual i edukimit publik nuk i mëson fëmijët të njohin vlerën e gjërave, duke i lënë të ndikuar nga obsesioni pas pasurisë materiale.
“Kur këto gjëra bëhen të paarritshme, obsesioni kthehet në ankth dhe stres. Pa një edukim që lidh mirëqenien financiare me disiplinën dhe kulturën e punës, dështimet kthehen lehtësisht në depresion”, ka thënë ai.
Kunushevci paralajmëron se mentaliteti që nuk di të vlerësojë sakrificën, durimin dhe strategjitë e duhura e çon shoqërinë në një rreth vicioz, izolim shoqëror dhe ndrydhje të potencialit.
“Duhet një edukim financiar që i vetëdijëson njerëzit mbi vlerën e kursimit, investimit dhe planifikimit. Kur paraja adhurohet dhe shndërrohet në kult, humbjet janë më të rënda,” thotë ai.
Në fund, ai thotë se paraja siguron siguri, por nëse vlerësohet gabim, sistemi ekonomik bazuar vetëm në fitim e jo në nevoja njerëzore, dëmton jo vetëm perspektivën financiare, por edhe shëndetin mendor dhe emocional të individëve.
Zgjidhja komplekse
Në këtë ngërç shumëdimensional, shteti, shoqëria civile, mediat – çdo mekanizëm duhet të qëndrojë me të rinjtë, sepse problemi emocional individual nesër do të jetë gjithëshoqëror.