Botime të reja / Pika Pa Sipërfaqe - Gazeta Express
string(35) "botime-te-reja-pika-pa-siperfaqe-20"

Arte

Gazeta Express

12/11/2025 14:30

Botime të reja / Pika Pa Sipërfaqe

Arte

Gazeta Express

12/11/2025 14:30

Del së afërmi në librari “Teori e partizanit: Një ndërhyrje në konceptin e politikes”, nga Carl Schmitt (përkthyer nga Bekim Qoku).

“Teori e partizanit” është një tekst themelor i mendimit politik bashkëkohor. Këtu Schmitt analizon me mprehtësi natyrën e konfliktit të armatosur në epokën moderne, epokë e luftës totale dhe armiqësive globale. Nga ky kontekst thelbësisht i ndryshëm, përvijohet figura e luftëtarit modern, partizanit. Duke e shqyrtuar partizanin si luftëtar me motivime thelbësisht politike, të lidhur ngushtë me një truall dhe një bashkësi politike (populli), por jashtë ushtrisë së rregullt, Schmitt përsiat kuadrin historik, domethënien filozofike dhe implikimet ligjore të fenomenit të luftës bashkëkohore.

“Teori e partizanit” u përpiluar mbi bazën e katër leksioneve që Schmitt mbajti më 1962 në Spanjë. I shkruar me saktësinë sintetike që e karakterizon Schmitt-in si mendimtar të shek. XX në fushën e teorisë politike, ky libër është një diagnozë origjinale e një prej veprimtarive më karakteristike të njeriut – luftës, në kohën tonë, por edhe përgjatë gjithë historisë njerëzore.

Carl Schmitt (1888-1985) lindi në Plettenberg, Prusi, në një familje katolike të shtresës së mesme. Studioi drejtësi në Berlin, Mynih dhe Strasburg. Që prej vitit 1916 dha mësim në disa universitete gjermane. Interesi i tij i spikatur për natyrën dhe ushtrimin e pushtetit politik, e bëri ta shqyrtojë këtë fenomen në disa plane, përtej kornizës legale, në atë historike dhe filozofike, çka i dha Schmitt-it një pozicion të privilegjuar dhe gjithpërfshirës në fushën e mendimit politik modern.

Skeptik, madje shpesh kritik i ashpër, i demokracisë liberale, Schmitt u vendos që herët në krahun konservator të filozofisë dhe politikës së kohës. Schmitt iu bashkua Partisë Naziste Gjermane më 1933. Gjatë sundimit nazist, Schmitt mbështeti në mënyrë aktive ligjet dhe nismat antiesmite të regjimit. Ndonëse u kritikua për qëndrime oportuniste, dhe që para luftës hoqi dorë nga rolet me natyrë politike, ai mbeti profesor në Berlin. Me mësymjen aleate në Gjermani, Schmitt u arrestua dhe kaloi një vit në kamp internimi. Pas lirimit e në vazhdim, mbeti një antisemit i bindur, dhe nuk u pendua kurrë për angazhimin politik dhe pozicionet teorike të mbajtura para luftës, çka solli përjashtimin nga rangjet akademike të Gjermanisë post-naziste. Megjithatë, Schmitt mbeti i angazhuar në fushën e mendimit politik, në izolim social, por jo intelektual, duke botuar një numër të rëndësishëm tekstesh që e zgjeruan dhe thelluan toerinë e tij politike.

Roli i tij aktiv qoftë në fushën teorike, qoftë në angazhimin praktik në mbështetje të regjimit nazist gjerman, e kompromentoi rëndë kontributin e tij të jashtëzakonshëm në teorinë politike.

Schmitt pati një jetë personale të trazuar, dhe vdiq në moshën 96 vjeç në qytetin e lindjes.

Advertisement
Advertisement
Advertisement