Çka ndodhi me votat në Mitrovicë - PDK-ja kërkoi rivotim e VV-ja i quajti teknike gabimet në fletëvotime - Gazeta Express
string(102) "cka-ndodhi-me-votat-ne-mitrovice-pdk-ja-kerkoi-rivotim-e-vv-ja-i-quajti-teknike-gabimet-ne-fletevotime"

Lajme

Gazeta Express

12/11/2025 7:14

Çka ndodhi me votat në Mitrovicë – PDK-ja kërkoi rivotim e VV-ja i quajti teknike gabimet në fletëvotime

Lajme

Gazeta Express

12/11/2025 7:14

Rreth njëzet e dy orë pas ndërprerjes, në Mitrovicën e Jugut, ka vazhduar të martën pasdite procesi i verifikimit të votave që dy kandidatët për kryetar të kësaj komune, Arian Tahiri i Partisë Demokratike të Kosovës e Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje, morën në rundin e dytë të votimit, më 9 nëntor.

Nga ky proces në mbrëmjen e së hënës janë tërhequr komisionerët e PDK-së e të LDK-së, shkaku i dyshimeve për keqpërdorim të votave gjatë procesit zgjedhor, pasi kanë hasur në fletëvotime numri i të cilave nuk ka përkuar me atë të vendvotimeve ku është votuar.

Kutitë nga 105 vendvotime më pas u mbyllën me urdhër të prokurorisë. Kësisoj verifikimi i votave nuk është kryer paraditen e së martës.

“Kemi gjetur fletëvotime që nuk janë përputhur me numrat e vendvotimeve. Pra kemi fletëvotime që kanë lëvizur nga klasa në klasë. Kemi fletëvotime që kanë lëvizur nga shkolla në shkollë. Të gjitha janë të faktuara, të gjitha janë të dokumentuara”, ka thënë Jahir Sumiqi, përfaqësuesi i PDK-së në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë.

Situata ka ndryshuar pasditen e së martës, kur për dyshimet e ngritura ka reaguar edhe kompania e cila i ka shtypur fletëvotimet. Në njoftimin e saj, thuhet se nga hetimi që kanë bërë kanë vërejtur se problemi ka ndodhur te njëra nga pllakat e printerëve me ngjyrë.

“Pavarësisht zbatimit të masave gjithëpërfshirëse të sigurisë dhe kontrollove të rrepta bazuar në standardet më të lartë të cilësisë dhe sigurisë, ne marrim përgjegjësi të plotë për këtë gabim, i cili në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte. Fletët e votimit përfshijnë disa elementë sigurie që nuk mund të replikohen, prandaj besojmë se falsifikimi nuk mund të ketë qenë i mundur”, thuhet në njoftimin e kompanisë CETIS.

Pas sqarimit nga kompania, rifillimin e procesit të numërimit e ka urdhëruar Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

“Sidoqoftë, për të ruajtur integritetin e procesit të numërimit të fletëvotimeve, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka caktuar dy hetues policorë që do të jenë prezent gjatë tërë kohës deri në përfundimin e plotë të procesit të numërimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në lidhje me rastin ka reaguar edhe Ministria e Drejtësisë. Ministri në detyrë, Blerim Sallahu, i ka kërkuar Kryeprokurorit të shtetit që të përjashtoi nga trajtimi i rastit, kryeprokurorin Njazi Rexha, pasi sipas tij, ai është burri i kandidates për asamble nga radhët e PDK-së në Mitrovicë.

Në fakt, edhe gjatë procesit të rinisur, komisionerët hasën në fletëvotime të cilat kishin numra serikë të ndryshëm nga vendvotimi.

Përveç në fletëvotime të plotësuara, dallime në numra serikë janë vërejtur edhe në fletëvotimet e papërdorura.

Për dallim nga Mitrovica, verifikimi i votave gjatë ditës së martë ka vazhduar në Pejë e Prizren, derisa të martën është përmbyllur në Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë-Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë dhe Viti.

Ndërkohë, zhvillimet nga procesi i verifikimit të votave në Mitrovicë kanë nxitur shumë reagime.

PDK-ja ka kërkuar rivotim në këtë komunë, e VV-ja ka vlerësuar se ndryshimi i numrave serik të fletëvotimeve nga numri i klasave ku është votuar, është gabim teknik. Shpalljen e pavlefshme të fletëvotimeve të tilla, ndërkohë e ka kërkuar shoqëria civile.

Derisa KQZ-ja dhe kompania që i ka printuar ato i kanë konsideruar si gabime teknike, në PDK e kanë vënë në dyshim një gjë të tillë.

Deputeti Përparim Gruda ka thënë se edhe nëse ka qenë gabim teknik, ai e ka dëmtuar procesin e për Mitrovicën duhet të votohet sërish. Për këtë, ka paralajmëruar edhe ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Nuk mund të thuash ka ndodhur një gabim teknik dhe do ta sanojmë atë. Kjo është sikur me shtyp fletëvotime e me harru me shkru PDK. Sepse ky gabim teknik ka ndikim thelbësor në rezultatin zgjedhor. Askush nuk mund të thirret në faktin se ka një gabim teknik dhe do ta lëmë, është procesi të komprometohet dhe votat të mos jenë ato që kanë vendosur qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai, në një konferencë për media të martën.

E Alban Krasniqi, anëtar i VV-së në KQZ ka deklaruar se raste të njëjta sikurse në Mitrovicë janë hasur edhe në Gjakovë.

“Këtu është vetëm gabim teknik, në dokumentet zgjedhore që i kanë pranu secili vendvotim figurojnë kodet e një vendvotimi tjetër në disa prej fletëvotimeve….Nuk asnjë indicie, asnjë argument, asnjë fakt që dëshmon për të kundërtën dhe referuar kësaj ne dje, edhe anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së ka qenë i njoftuar sy më sy nga stafi i sekretariatit në Gjakovë dhe në Mitrovicë”, ka deklaruar Krasniqi, në emision “60 minuta” të KTV-së.

Ndërkohë, Eugen Cakolli, është hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë se fletëvotimet të cilat nuk përputhen me kodin e vendvotimit ku është votuar duhet të shpallen të pavlefshme.

“Por edhe kjo, në vetvete, nuk garanton se problemi është adresuar në tërësi. Sepse thelbi nuk është vetëm gabimi teknik, por përmasat e tij – pra, sa fletëvotime janë prekur, në cilat vendvotime, dhe a ka pasur ndikim në rezultat. Pa këtë informacion, askush – e sidomos KQZ-ja – s’mund të flasë për integritet të paprekur të zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Sipas Cakollit, sqarimet e kompanisë CETIS dhe të KQZ-së, janë problematike.  “Nëse as kompania nuk e di sa dengje dhe fletëvotime janë prekur, si mund të garantohet integriteti, kur ende rreth 75% e vendvotimeve të Mitrovicës nuk janë procesuar dhe fletëvotimet e dyshimta nuk janë verifikuar fizikisht? Çdo deklaratë që e kufizon problemin tek ‘gabimi teknik’ është, në këtë fazë, thjesht spekulim. E në një proces zgjedhor, s’ka më keq se kur një “gabim teknik” trajtohet si rrezik politik që duhet menaxhuar disi, në vend se si problem që duhet hetuar deri në fund”, ka thënë Cakolli.

Për kryetar të Mitrovicës në garë ishin Arian Tahiri i PDK-së e Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas rezultateve preliminare, fitues doli Peci me 2 mijë e 315 vota më shumë.

Advertisement
Advertisement
Advertisement