Një variant i ri i gripit, që po përhapet shpejt në Britani, dyshohet se po shkakton një rritje të rasteve ku pacientët vjellin tëmth të verdhë, raportojnë mjekët.
Varianti i virusit, i njohur si H3N2, duket të jetë më agresiv se versionet e mëparshme për shkak të disa mutacioneve gjenetike, të cilat e kanë bërë gripin më “të fortë” dhe simptomat më të rënda.
Ky variant njihet prej kohësh për shkaktimin e dhimbjeve më të forta të trupit, lodhjes më të zgjatur dhe shfaqjen e shpejtë të simptomave. Por së fundmi, shumë pacientë kanë raportuar se kanë vjellë vazhdimisht tëmth për disa ditë, gjatë infeksionit.
Pse po ndodh kjo?
Ekspertët besojnë se gripi po ndikon më shumë se zakonisht në oreksin e njerëzve, duke bërë që ata të mos konsumojnë ushqim.
“Kjo bën që trupi të vjellë në stomak bosh, sepse nuk ka asgjë tjetër për të nxjerrë,” shpjegon Dr. Simon Clarke, ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin e Reading.
Profesori Paul Hunter, ekspert i njohur i infeksioneve nga Universiteti i East Anglia, shton se vjellja e tëmthit ndodh shpesh edhe si pasojë e inflamacionit të mukozës së stomakut, i cili është një reagim i zakonshëm gjatë gripit.
“Shpesh njerëzit e ngatërrojnë me ‘grip stomaku’, por e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me gripin klasik,” thekson ai.
Megjithatë, vjellja e tëmthit mund të jetë edhe simptomë e viruseve gastrointestinale si norovirusi dhe rotavirusi, të cilat aktualisht po qarkullojnë në nivele më të ulëta, sipas sezonit.
Cilat janë simptomat kryesore të gripit?
Dhimbje muskujsh
Temperaturë e lartë
Lodhje dhe dobësi e trupit
Kollë e thatë
Ethe
Humbje e oreksit
Në disa raste, të vjella me tëmth
Simptomat zakonisht shfaqen papritur dhe mund të kërkojnë disa ditë pushim në shtrat.
Profesor Stephen Griffin nga Universiteti i Leeds këshillon ata që vjellin tëmth të qëndrojnë të hidratuar:
“Pini shumë ujë, edhe nëse duket se po e vjellni. Trupi gjithsesi përthith një pjesë të lëngjeve.”
Përhapja e variantit
Sipas të dhënave të Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Britanisë (UKHSA), shumica e rasteve me grip këtë sezon po shkaktohen nga varianti H3N2.
Shtrimet në spital kanë arritur nivele që zakonisht shihen vetëm në fillim të dhjetorit, me rritje veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë.
Ndërkohë, ekspertët u bëjnë thirrje të moshuarve, grave shtatzëna dhe personave me sëmundje kronike të kryejnë vaksinën e gripit, edhe pse vaksina e këtij viti nuk mbulon plotësisht variantin e mutuar, për shkak se ai u shfaq pas përgatitjes së vaksinës.
Megjithatë, mjekët theksojnë se vaksina mbetet shumë e rëndësishme, pasi mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e komplikacioneve të rënda dhe shtrimit në spital. /GazetaExpress/