Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit lidhur me rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”.
Burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se ministrja Hajdari, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”.
Ndërsa, afaristin Ridvan Muharremi i njohur si “Ridi”, PSRK-ja po e akuzon për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Me këto veprime, katër të pandehurit ngarkohen se e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës, në vlerë prej afër 3 milionë euro.
Përmes rrjetit social Facebook, Hajdari tha se është njoftuar nga avokati i saj se është ngritur aktakuzë ndaj saj për çështjen e rezervave shtetërore, por që ende nuk e ka pranuar të plotë.
“Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022”, shkroi Hajdari.
Postimi i plotë i Hajdarit:
“Të nderuar qytetarë,
Sapo u njoftova nga avokati im, për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne.
Sapo ta kem pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media.
Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022”.