Në Shqipëri po zhvillohen sot zgjedhjet e pjesshme vendore në pesë bashki të vendit, ndërsa pjesëmarrja e zgjedhësve deri në orët e paradites mbetet e ulët.
Në fshatin Tragjas të Vlorës, nga 1170 zgjedhës, vetëm rreth 60 qytetarë kanë ushtruar të drejtën e votës. Anëtarët e komisioneve zgjedhore raportojnë se procesi po vijon qetësisht, por mot i keq, rrugët e pashtruara dhe fushata e vakët kanë ndikuar ndjeshëm në pjesëmarrje.
Kjo zonë është njohur më herët edhe për protestat e banorëve kundër projektit të ndërtimit të një ujësjellësi të ri, që sipas tyre do të merrte ujin e fshatit për të furnizuar zonat turistike të Palasës dhe Dhërmiut.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, pjesëmarrja në Tragjas ishte dukshëm më e lartë, me gati 300 votues, ndërsa rreth 70% e votave i shkuan Partisë Socialiste.
Ndryshe nga ajo periudhë, sot procesi po zhvillohet në kushte të vështira atmosferike dhe me interes të ulët nga banorët, një situatë e ngjashme edhe në disa nga bashkitë e tjera ku po mbahet votimi.
/Gazeta Express