Rusia po shfrytëzon popullsinë e varfër të Afrikës për të luftuar në Ukrainë – shumë prej tyre janë mashtruar ose detyruar të shkojnë në vijën e frontit përmes parave, gënjeshtrave ose kërcënimeve, paralajmërojnë zyrtarët.
Të paktën 1,436 qytetarë nga 36 vende afrikane, përfshirë Kenian, Afrikën e Jugut dhe Kamerunin, po luftojnë aktualisht përkrah trupave ruse, sipas udhëheqësve të qeverisë së Kievit.
“Qytetarët e huaj në ushtrinë ruse kanë një fat të trishtuar”, tha Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sybiha.
“Shumica e tyre dërgohen menjëherë në sulme, ku vriten shpejt.”
Burrat joshen me premtime të rreme për vende pune të paguara mirë, mashtrohen duke nënshkruar marrëveshje në rusisht që nuk dinë t’i lexojnë, të cilat rezultojnë të jenë kontrata ushtarake.
Dhe ndonjëherë detyrohen të nënshkruajnë nën presion, sipas Sybiha.
“Nënshkrimi i një kontrate është i barabartë me nënshkrimin e një dënimi me vdekje”, shtoi ai, duke u bërë thirrje qeverive afrikane të paralajmërojnë qytetarët e tyre.
“Nuk do të ketë përgjegjësi për të huajin e vrarë.”
Evan Kibet, 36 vjeç, një vrapues i distancave të gjata nga Kenia, tha se një agjent sportiv i ofroi të transportonte me aeroplan atë dhe tre kenianë të tjerë në Shën Petersburg për gara.
Atje, atij iu tha të nënshkruante dokumentet e punës në rusisht, përpara se të futej në një veturë dhe të dërgohej për shtatë orë në një kamp ushtarak.
“Ose shko të luftosh, ose do të të vrasim”, kujtoi ai t’i kishin thënë burrat rusë.
Ai u stërvit për një pushkë sulmi për një javë, nga instruktorë që flisnin vetëm rusisht.
Ai iku rrugës për në misionin e tij të parë luftarak dhe u fsheh në pyjet pranë Kharkiv, ku u kap dhe përfundimisht u lirua nga ushtria ukrainase. /Telegrafi