Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar se do të angazhohet në monitorimin e procesit zgjedhor nëpër komuna të vendit.
Sipas komunikatës së DnV-së, ekipet e saj do të jenë të pranishme në terren për të kontribuar në një proces zgjedhor të qetë, të rregullt dhe demokratik.
Organizata ka theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, duke rikujtuar se kryetarët që do të zgjidhen do të udhëheqin komunat për katër vitet e ardhshme dhe do të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve përmes shërbimeve publike, zhvillimit urban, arsimit dhe mirëqenies sociale.
DnV u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votime, në mënyrë që drejtimi i komunave të pasqyrojë vullnetin e tyre.
Njëherësh, DnV u ka bërë apel subjekteve politike dhe kandidatëve që të respektojnë rregullat dhe standardet zgjedhore, duke shmangur çdo formë ndërhyrjeje apo ndikimi të paligjshëm në procesin e votimit.
DnV ka kërkuar gjithashtu nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të garantojë një proces të rregullt e transparent, si dhe nga institucionet e rendit që të sigurojnë një ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët.
Në fund, DnV ka theksuar se zgjedhjet janë një moment kyç i pjesëmarrjes publike dhe i llogaridhënies demokratike, ndërsa roli i secilit qytetar mbetet thelbësor në forcimin e institucioneve të vendit.