Koreja e Veriut ka gjuajtur një raketë balistike më 7 nëntor, tha ushtria e Seulit.
Ky njoftim vjen rreth një javë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, miratoi një plan të Koresë së Jugut për të ndërtuar një nëndetëse me energji bërthamore.
Analistët kanë thënë e plani i Seulit për ndërtimin e një nëndetëseje të tillë me energji bërthamore mund të nxisë një reagim agresiv nga Pheniani.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë në Seul tha se Koreja e Veriut gjuajti një raketë të paidentifikuar balistike drejt Detit Lindor, duke iu referuar trupit ujor që njihet edhe si Deti i Japonisë.
Raketa ra në det jashtë ujërave të Japonisë dhe nuk është raportuar për ndonjë dëm apo për të lënduar, tha kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi.
Sipas ushtrisë së Koresë së Jugut, raketa u lëshua në orën 12:35, sipas kohës lokale, nga një zonë në veri të Phenianit dhe fluturoi rreth 700 kilometra.
Koreja e Veriut ka rritur ndjeshëm testimin e raketave në vitet e fundit. Këto testime, sipas analistëve, kanë për synim përmirësimin e kapaciteteve për goditje precize, sfidimin e Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, si dhe testimin e armëve para se ato potencialisht të eksportohen drejt Rusisë.
“Nga këndvështrimi i Koresë së Veriut, mundësia për sulme të papritura nga Deti Lindor mund të jetë burim ankthi. Nëse Koreja e Jugut pajiset me nëndetëse me energji bërthamore, ata do të jenë në gjendje të hyjnë në ujërat e Koresë së Veriut dhe të monitorojnë apo pengojnë armë, sikurse janë raketat balistike që lëshohen nga nëndetëset”, tha për AFP-në, Ahn Chan-il, që ka ikur nga Koreja e Veriut dhe që tani udhëheq Institutin Botëror për Studime të Koresë së Veriut.
Trump kishte njoftuar se Koreja e Jugut do të ndërtonte nëndetësen në SHBA, ku teknologjia bërthamore konsiderohet një nga sekretet më të ndjeshme dhe më të ruajtura ushtarake.
Për dallim nga nëndetëset që operojnë me dizel, të cilat duhet të dalin rregullisht në sipërfaqe për të mbushur bateritë, nëndetëset me energji bërthamore mund të qëndrojnë nën ujë për shumë më gjatë./REL