Në prag të zgjedhjeve të pjesshme lokale në pesë bashki, Policia e Shtetit ka njoftuar se ka hartuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Kështu, siç bëhet me dije përmes një njoftimi për mediat, 612 punonjës dhe automjete policie do të angazhohen për ruajtjen e 473 qendrave të votimit dhe 9 objekteve të KZAZ-ve, si dhe për shoqërimin e materialeve zgjedhore.
Plani i masave të policisë
Të shtunën: Në 5 bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet, Policia e Shtetit ka marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe ditën e shtunë do të marrë në ruajtje 473 objekte që do të shërbejnë si qendra votimi.
Lista me 612 punonjës policie dhe automjete policie, që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve, është dërguar në KQZ dhe është miratuar.
Shërbimet e Policisë që janë të planëzuara për ruajtjen e objekteve që do të shërbejnë si qendra votimi, do të instruktohen ditën e shtunë paradite dhe më pas do të shpërndahen në qendrat ku janë të planëzuara me shërbim.
Të dielën: Ditën e diel, që është dita finale, me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e Policisë do të tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe do të rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00.
Gjatë ditës së votimit, në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët, KZAZ-të apo KQZ-ja do të ketë kërkesa për ndërhyrjen e Policisë, në zbatim të Kodit Zgjedhor, Policia ka lënë pikat e kontaktit me komisionet dhe do të veprojë në kohë, konform përcaktimeve ligjore.
Në orën 18:00, shërbimet e Policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit.
Policia thotë se janë marrë të gjitha masat që në çdo komisariat dhe drejtori, në territorin e të cilave do të ketë zgjedhje, të ketë grupe të gatshme për të vepruar në terren, në rast nevoje.
“Të gjithë këta punonjës janë të trajnuar dhe të miratuar nga KQZ-ja, dhe do të jenë të pajisur me mjetet e identifikimit dhe me jelekë të Policisë. Strukturat e posaçme hetimore të Policisë së Shtetit, të ngritura për hetimin e krimeve zgjedhore, janë në terren, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, për të evidentuar dhe goditur çdo tentativë për të tjetërsuar votën nëpërmjet shitblerjes apo formave të tjera.“, thuhet në planin e Policisë. Gjithashtu, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur grupi i koordinimit dhe drejtimit për procesin zgjedhor.
Të dielën, 334 mijë e 539 zgjedhës në pesë bashkitë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, do t’u drejtohen 472 qendrave të votimit për të shprehur vullnetin e tyre me votë. Në garë janë 13 kandidatë, ku kandidatët socialistë do të përballen me rivalë të pavarur, të cilët kanë mbështetjen e opozitës së bashkuar.