Sot shënohet dita e gjashtë e grevës së urisë të Dijana Hrkës, nënës së Stefanit Hrka, i cili humbi jetën dhe për të cilin ajo kërkon drejtësi prej më shumë se një viti. Nxënës të shkollave të ndryshme, studentë dhe qytetarë po i ofrojnë mbështetje duke qëndruar pranë saj.
Megjithatë, gjatë këtyre ditëve, pranë sheshit ku ndodhet Hrka, nga një zonë pranë Kuvendit, është dëgjuar muzika që duket se ka për qëllim provokimin e nënës, e cila vazhdon të kërkojë drejtësi për djalin e saj, raporton N1.
Studentë nga Nishi kanë pritur natën në tenda pranë sheshit për të qëndruar pranë Dijana Hrkës dhe për t’i dhënë mbështetje. Po ashtu, profesorë të shkollave të Beogradit kanë vendosur shtande pranë tendës ku ndodhet Hrka, duke organizuar turne që të ketë gjithmonë dikush pranë saj.
“Dëshirojmë që në çdo mënyrë t’i tregojmë se jemi pranë saj. Është ftohtë, por mund të imagjinoni se çfarë përjeton ajo,” tha profesor Slobodan Glaviçiq nga Gjimnazi i Tetë i Beogradit.
Ai shtoi se presionet po ushtrohen ndaj drejtuesve të shkollave nga Ministria e Arsimit, por për nxënësit është shumë e rëndësishme të ndihen të mbështetur nga mësuesit e tyre.
Gjatë mbrëmjes së kaluar janë shënuar edhe arrestime të disa studentëve, ndërsa policia vazhdon të mbikëqyrë zonën ku janë vendosur tendat dhe ku mbështetësit e qeverisë qëndrojnë pranë Kuvendit.