Fluturimet në aeroportin Gothenburg-Landvetter, në perëndim të Suedisë, u pezulluan të mërkurën, më 6 nëntor, pasi u raportua prania e një ose disa dronëve në hapësirën ajrore, konfirmuan autoritetet suedeze.
Një zëdhënës i Agjencisë Suedeze të Aviacionit Civil (LFV) tha se dronët u vunë re mbi aeroport, duke detyruar mbylljen e përkohshme të hapësirës ajrore. Ndërkohë, policia suedeze njoftoi se ka nisur një hetim për “sabotim të dyshuar të aviacionit”.
“Ne kemi marrë disa raportime për dronë të dyshuar në orën 16:41 dhe kemi shkuar në vendngjarje për të mbledhur informacione,” tha një zëdhënës i policisë, duke shtuar se hetimet janë ende në zhvillim.
Drejtoresha e operacioneve në Swedavia, operatori i aeroporteve suedeze, Susanne Norman, tha se hapësira ajrore mbi Landvetter do të qëndrojë e mbyllur derisa policia të përfundojë hetimet.
Landvetter është aeroporti i dytë më i madh në Suedi, pas atij të Arlandës në Stokholm. Ngjarja vjen në një periudhë kur incidente të ngjashme me dronë kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha të trafikut ajror në disa vende evropiane.
Në fillim të javës, autoritetet belge u detyruan të mbyllnin përkohësisht disa aeroporte dhe një bazë ushtarake pas raportimeve për dronë, të cilat ministri i Mbrojtjes i Belgjikës i quajti pjesë të një sulmi të koordinuar.
Disa zyrtarë evropianë kanë ngritur dyshime se pas këtyre incidenteve mund të fshihet një formë lufte hibride, ndërsa Rusia i ka mohuar akuzat për përfshirje.