Të pasurit probleme me zemrën në të 50-tat mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për demencë në moshë të thyer, sugjeron një studim i ri shkencor.
Ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh se faktorët e njohur të rrezikut kardiovaskular – si presioni i lartë i gjakut dhe kolesteroli – jo vetëm që dëmtojnë zemrën, por gjithashtu mund të prekin qarkullimin e gjakut në tru, duke shkaktuar dëme të fshehta në enët e vogla të gjakut.
Sipas studiuesve britanikë, personat e moshës së mesme që kanë dëmtime në muskujt e zemrës janë 38% më të rrezikuar të zhvillojnë demencë më vonë. Ata zbuluan gjithashtu se këto shenja biologjike mund të jenë të dukshme deri në 25 vjet para diagnostikimit.
Si u zhvillua studimi
Studiuesit e University College London (UCL) analizuan nivelet e një proteine të quajtur troponin në gjak, e cila lëshohet kur muskujt e zemrës dëmtohen.
Rreth 6,000 persona të moshës 45–69 vjeç, pa diagnozë për zemrën ose demencën, u ndoqën për një periudhë mesatare 25 vjet.
Gjatë këtij kohë, 695 persona u diagnostikuan me demencë. Ata që zhvilluan sëmundjen kishin nivela më të larta troponini që nga fillimi i studimit, duke treguar dëmtime të fshehta të zemrës shumë vite para shfaqjes së simptomave.
Analizat e MRI-së tek 641 pjesëmarrës treguan gjithashtu se ata me nivelet më të larta të troponinës kishin një hipokampus më të vogël, pjesë kyçe e trurit për kujtesën, rreth 15 vjet më vonë.
Rekomandimet e ekspertëve
Profesor Bryan Williams, nga British Heart Foundation, tha:
“Ky studim na kujton se shëndeti i zemrës dhe i trurit janë të pandashëm. Mosha e mesme është periudha më e ndjeshme, ku dëmtimi mund të përcaktojë rrugën e shëndetit të zemrës dhe trurit.”
Studimi nënvizon rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm, aktivitetit fizik dhe mos-duhanit, si masa për të ruajtur zemrën dhe për të ulur rrezikun e demencës.
Profesor Eric Brunner, bashkëautor i studimit, shtoi:
“Kontrolli i faktorëve të rrezikut, si presioni i lartë i gjakut, mund të ngadalësojë ose të parandalojë zhvillimin e demencës. Troponina mund të shërbejë në të ardhmen si pjesë e një indeksi për parashikimin e rrezikut të demencës.”
Sëmundja e Alzheimer-it është forma më e zakonshme e demencës dhe prek 982,000 persona në Mbretërinë e Bashkuar.
Në 2022, 74,261 persona vdiqën nga demenca në Mbretërinë e Bashkuar, duke e bërë atë një nga shkaqet kryesore të vdekjes.
Globalisht, rastet e Alzheimer-it dhe demencave të tjera u rritën me 148% nga 1990 deri në 2019. /GazetaExpress/