Delikatesa e Gaziantepit, lahmaxhuni, është regjistruar zyrtarisht nga Bashkimi Evropian (BE) si “Tregues Gjeografik i Mbrojtur” (PGI), duke u bërë produkti i pestë i qytetit që merr këtë njohje, njoftoi të mërkurën kryetarja e bashkisë, Fatma Sahin.
Me këtë regjistrim të fundit, qyteti juglindor i Gaziantepit numëron gjithsej 107 produkte me tregues gjeografik, duke u bërë qyteti turk me numrin më të lartë të artikujve të njohur nga BE-ja.
Lahmaxhuni është një petë e hollë me mish të erëzuar, që shpesh quhet “pica turke”.
Sahin tha se njohja nga BE-ja vjen pas produkteve të tjera lokale si bakllavaja e Gaziantepit, hudhra e Arabanit, kafeja menengic dhe pasta e fëstëkut Antep.
“Këto regjistrime ruajnë autenticitetin e shijeve tona tradicionale, ndërkohë që e promovojnë vlerën tonë si markë në arenën ndërkombëtare dhe i shtojnë vlerë ekonomike qytetit tonë,” tha Sahin.
Ajo gjithashtu shprehu mirënjohje ndaj ministrit të Bujqësisë dhe të Pylltarisë Ibrahim Yumakli, ministrit të Industrisë dhe Teknologjisë Mehmet Fatih Kacır, Bursës së Mallrave të Gaziantepit dhe të gjithë atyre që kontribuan në këtë arritje./TRT/