“Nuk di të ziejë një vezë”/ Sarkozy refuzon ushqimin e burgut sepse ka frikë nga helmimi - Gazeta Express
string(85) "nuk-di-te-zieje-nje-veze-sarkozy-refuzon-ushqimin-e-burgut-sepse-ka-frike-nga-helmimi"

Lajme

Gazeta Express

06/11/2025 16:24

“Nuk di të ziejë një vezë”/ Sarkozy refuzon ushqimin e burgut sepse ka frikë nga helmimi

Lajme

Gazeta Express

06/11/2025 16:24

Plani i dietës që ndjek ish-presidenti i Republikës Franceze ndërsa është i burgosur në burgun Sante në Paris ka shkaktuar shqetësim në rrethin e ngushtë të Nicolas Sarkozy-t.

Duke mbetur pas hekurave që nga 21 tetori, Sarkozy ka vendosur të ndjekë vetë një regjim të veçantë dietik, sipas medias franceze Le Point.

Duke kuptuar ndjenjat armiqësore që shumë nga të burgosurit e tjerë kanë ndaj tij, ai refuzon të prekë pjatën që i serviret në qeli. Sipas burimeve të cituara nga media, Sarkozy ka frikë se dikush i ka pështyrë ushqimin, nëse jo diçka më të keqe… helm.

Ajo që e bën problemin edhe më të madh është se ish-presidenti e ka “djegur” alternativën tjetër ndaj ushqyerjes së tij në burg, përkatësisht të sigurojë lëndë të para nga mensa dhe të përgatisë ushqimin vetë: “Ai as nuk di të ziejë një vezë!”, zbulon një person nga rrethi i tij i ngushtë. “Dhe, që nga fillimi, ai e refuzon atë”.

Kështu, që nga dita e arrestimit të tij 2.5 javë më parë, Nicolas Sarkozy ka ngrënë vetëm kos. Ajo që mbetet për t’u parë është nëse ky agjërim i veçantë që po mban ish-presidenti do të “ndikojë” te gjyqtari, i cili më 10 nëntor do të thirret për të vendosur për lirimin e tij.

Kujtojmë se Sarkozy po vuan një dënim me pesë vjet burg për financimin e supozuar të fushatës së tij zgjedhore të vitit 2007 nga Libia. Dy oficerë policie të armatosur janë thirrur për ta mbrojtur atë brenda burgut në mënyrë 24-orëshe.

Ministri i Brendshëm francez Laurent Nunez tha se ky vendim u mor për shkak të një kërcënimi për jetën e Sarkozysë, natyrën e të cilit ai nuk e specifikoi. /TCh/