Driton Morina dhe Naim Morina kanë mbetur të vrarë pasi dyshohet se dhëndri i tyre, Astrit Isufi, gjuajti me armë në drejtim të tyre të enjten në fshatin Gollubovc të Malishevës.
Siç mëson Gazeta Express i dyshuari e ka lënë veturën dhe armën dhe më pas ka ikur nga vendi i ngjarjes.
Burimet e Gazetës Express bëjnë të ditur se gruaja e të dyshuarit, përkatësisht motra e viktimave, ka qenë në veturën e të dyshuarit kur ka ndodhur rasti.
Lidhur me rastin deri tani janë shoqëruar në stacion policor disa persona që janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve, në mesin e tyre edhe familjarë të viktimave.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se ndaj të dyshuarit më 6 prill të këtij viti është paraqitur kërkesë për caktim të paraburgimit dhe i është caktuar.
Po ashtu, ndaj Isufit më 7 prill është ngritur aktakuzë për “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”.
“Prokurori i shtetit ndaj personit të dyshuar A.I., me datë 06.04.2025, është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, e cila po të njëtit iu është caktuar nga gjykata kompetente. Po ashtu, me datë 07.04.2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit për veprat penale “Dhunë në familje” në bazë të nenit 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Kanosje”, sipas nenit 181 të KPRK-së.”
I dyshuari, sipas hetimeve paraprake, sot ka shkuar në shtëpinë e viktimave për të marrë gruan e tij. Pasi është larguar disa metra, ai është kthyer përsëri dhe ka hapur zjarr ndaj dy vëllezërve që ndodheshin para derës së shtëpisë. /GazetaExpress/