GLPS: Kryefjala e raportit të BE-së për Kosovën është stagnimi dhe progresi i limituar - Gazeta Express
string(85) "glps-kryefjala-e-raportit-te-be-se-per-kosoven-eshte-stagnimi-dhe-progresi-i-limituar"

Lajme

Gazeta Express

06/11/2025 12:45

GLPS: Kryefjala e raportit të BE-së për Kosovën është stagnimi dhe progresi i limituar

Lajme

Gazeta Express

06/11/2025 12:45

Kryefjala e raportit të Bashkimit Evropian për Kosovën në vitin 2025 është stagnimi dhe progresi i limituar, tha drejtoresha ekzekutive në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Njomza Emini.

Sipas saj, kriza politike përgjatë tërë vitit 2025 ka pasur pasoja të mëdha për Kosovën dhe “mund të konstatohet se ky vit është i çuar dëm për vendin”.

Bashkimi Evropian ka publikuar Raportin për Kosovën më 4 nëntor. Unioni i përpilon këto raporte për vendet që synojnë anëtarësimin në bllokun evropian.

Megjithatë, Emini në konferencë për media të enjten përmendi se Kosova, në bazë të raportit, ka arritur progres në katër kapituj, përkatësisht në kapitullin për siguri të ushqimit, politikat e transportit, politikat sociale dhe punësim, si dhe për marrëdhëniet e jashtme.

“Kosova thuhet se ka arritur përmirësim në katër kapituj. Përkatësisht në kapitullin e 12-të për siguri të ushqimit, kapitullin e 14-të për politika të transportit, kapitullin 19-të për politika sociale dhe punësim, si dhe kapitullin e 30-të për marrëdhëniet e jashtme. Megjithatë, ky lloj përparimi nuk i përgjigjet nevojave për reforma të thella për integrim të shpejtë. Nëse konsiderohen të gjithë kapitujt për të cilët vendi ynë vlerësohet, Kosova ende mbetet në një nivel të njëfarë përgatitjeje. Sa i përket progresit, raporti i këtij viti vlerëson se Kosova ka arritur progres të limituar në 17 kapituj, në 11 kapituj të tjerë njëfarë progresi, në dy fare nuk ka progres dhe vetëm në një kapitull ka progres të mirë për vitin 2025. Pasojat e ngërçit politik vërehen në të gjitha rreshtat e këtij raporti. Kryefjala e këtij raporti është stagnim dhe progres i limituar. Edhe pse Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian, realiteti politik i këtij viti ka vendosur pasoja të mëdha. Mund të konstatohet se ky ka qenë një vit i çuar dëm për Kosovën”, tha ajo.

Në anën tjetër, hulumtuesi në GLPS, Besar Gërgi, vë në pah se sa i përket lirisë së shprehjes, raporti është dukshëm më negativ sesa në vitet e kaluara.

Ai shton se në raport përmenden rreth 70 sulme fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, si dhe gjuha ofenduese e zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe nga vet kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti.

“Sa i përket lirisë së shprehjes, raporti është dukshëm më negativ sesa në vitet e kaluara. Përmenden rreth 70 sulme fizike dhe verbale ndaj gazetarëve. Këtu përmendet edhe gjuha ofenduese e përdorur nga zyrtarët e lartë, si dhe nga vet kryeministri. Raporti kritikon mungesën e financimit afatgjatë të transmetuesit të vetëm publik, si dhe zhvillimet negative në kuadër të Komisionit të Pavarur të Mediave. Sa i përket KPM-së, raporti thekson se ligji u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pasi kishte dispozita që cenonin pavarësinë e këtij institucioni. Mbetet shumë e rëndësishme që ligji i ri të jetë në standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare”, thekson Gërgi.

Sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, Gërgi deklaron se nga Kosova kërkohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kurse nga Serbia njohja e simboleve të Kosovës.

Sipas tij, raporti thekson se zbatimi i Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023, ka qenë i pamundur për shkak të mos-stabilitetit politik në Kosovë dhe Serbi.

Në lidhje me largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, ai theksoi se heqja e tyre kushtëzohet me transferimin paqësor të pushtetit në katër komunat veriore pas zgjedhjeve të balotazhit më 9 nëntor.

“Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, ky raport, njëjtë sikurse vitet e kaluara, i kushton një rëndësi të veçantë normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Nga Kosova kërkohet themelimi i Asociacionit, ndërsa nga Serbia kërkohet njohja e simboleve të Kosovës. Raporti thekson se ka pasur vazhdim të dialogut, por se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit ka qenë i pamundur për shkak të mungesës së stabilitetit në Kosovë si dhe në Serbi. Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve, sivjet shihet qartazi një gjuhë më e balancuar e ndërmjetësuesit të BE-së. Duke konsideruar këtë fakt dhe përbërjen e re të Komisionit Evropian, mbetet e rëndësishme që partitë të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe të themelohen institucionet, që Kosova të përfitojë nga ky instalacion politik”, shtoi Gërgi.

Raporti i Bashkimit Evropian për Kosovën i është dorëzuar të martën edhe krerëve shtetërorë të Kosovës. Të njëjtin e kanë pranuar presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Dimal Basha, si dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti./kp