B.P., 17-vjeçar, humbi babain më 28 shtator të këtij viti. Në ditën që llogaritej të ishte pushim, të dielën, ata kishin shkuar bashkë për të punuar në një bunar në Lybeniq të Pejës, rreth 20 metra i thellë, nga i cili i ati nuk arriti të dilte i gjallë. Babë e bir e bënin këtë punë bashkë dhe vetëm dy ditë para ngjarjes tragjike, i mituri thotë se kishin kryer “me lehtësi” punën në një tjetër bunar me thellësi 25 metra….
B.P., e ka ndërprerë shkollimin në klasën e nëntë për shkak se i duhej ta ndihmonte familjen. Tani me vdekjen e babait, përgjegjësia ka rënë mbi të. Ndonëse i mitur, ai thotë se po punon “argat” saherë që dikush ka nevojë për punë. Por me bunar, deklaron se nuk do të punojë më kurrë. Ajo ishte puna që ia mori jetën babait të tij.
Mes dhimbjes së madhe, i mituri nga komuniteti egjiptian, ka rrëfyer për Gazetën Express momentin më të vështirë të jetës së tij. Vdekjen e babait.
Në rrjetin social TikTok prej kohësh kjo familje kishte hapur një llogari “pastrim bunarësh”, dhe aty e kishte marrë numrin edhe pronari i një bunari nga Lybeniqi i Pejës.
“E ka thirrë babain, bunari ka qenë i thellë 20 metra”.
Po të ecte puna mbarë sikurse në vendet e tjera, i mituri shprehet i bindur që gjithçka do të përfundonte brenda orës dhe “babai do të dilte i gjallë”, thotë ai.
“Jemi shku unë, babai im i ndjeri dhe djali i axhës me pastru bunarin”.
Sipas versionit që ai rrëfen se çka ndodhi në bunar, deklaron se “s’ka pas ajër aty, qysh na kanë thënë ka pas gazra dhe nuk ka mujtë me i duru (ka pas gazra të këqija), aty për aty ka ndërru jetë…”, deklaroi i mituri teksa po fliste për Gazetën Express në prani të nënës së tij.
“Unë e kam pa krejt ngjarjen me sy”
B.P., u trondit kur babai i tij nuk po dilte nga bunari, “krejt kohën aty jam kanë. E përjetova shumë rëndë”, shprehet ai.
“Rreth 8 orë e gjysmë ka mbetë në ujë, 20 metra thellësi…Prej 14:30 deri në 22:15, s’ka dalë s’e kanë qitë jashtë babën…”, vazhdon rrëfimin.
“Krejt kohën e kam në mendje, nonstop para syve më rri ai moment”
Ndonëse ndodhet në një gjendje të rëndë emocionale, atij i duhet të mendojë se si ta ndihmojë financiarisht familjen e tij. Si djali i madh i familjes, e ndjen përgjegjësinë për kujdes ndaj motrave e vëllait të tij më të vogël në moshë.
“Krejt barrën e babës tim e kam unë, jam më i madhi në familje, e kam edhe babagjyshin por është i lodhur përvete”, shprehet i mituri që ndodhet në pozitën e kryefamiljarit tashmë.
Mundësitë për të gjetur punë i janë zvogëluar, ai e di sigurt që me bunar më nuk do të punojë kurrë.
“Me bunar nuk mundem me punu më s’e s’kam zemër…Qysh ka ndërru jetë babai jem, shumë keq…”, u shpreh i mituri për Gazetën Express.
Ky i mitur sakrifikoi shumë nga vegjëlia, ai edhe përkundër dëshirës për të vazhduar shkollimin e ndërpreu sepse “nuk u bëjke kurrqysh”, thotë ai. Shprehet se i duhej të punonte për “kafshatën e bukës”.
Për vdekjen e kryefamiljarit, familja është në pritje të raportit të obduksionit.
Ndërsa, për rastin tragjik të A.P., në një bunar në Lybeniq, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, tha se “ky rast është në çështje parapenale për hetimin e rrethanave të vdekjes, si dhe është urdhëruar autopsia e trupit në IML në Prishtinë”.
Ai shtoi se “nën autorizimin e prokurores, njësitet kompetente të policisë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, kuptohet duke përfshirë edhe sigurimin e dëshmive të të gjithë dëshmitarëve te rastit, të cilat nuk kanë rezultuar deri në këtë fazë të hetimeve me asnjë provë për vërtetimin e dyshimit se kemi të bëjmë me ndonjë vepër penale të paraparë me ligjin në fuqi, mirëpo ende jemi në pritje të Raportit të autopsisë dhe vetëm pas analizimit të të cilit, do të vendoset lidhur me epilogun e rastit”, tha Nikçi.
Mosarsimimi i fëmijëve nga komunitetet joshumicë në Kosovë vazhdon të mbetet sfidë
Të dhëna për braktisje të shkollës nga nxënësit e komuniteteve Ashkalinjë, Romë dhe Egjiptianë, në nivelet fillore dhe të mesme të lartë, sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, dërguar Gazetës Express, tregojnë se në vitin shkollor 2024/25, nga klasat 1-9 shkollimin braktisën 60 nxënës, ndërsa nga klasat 10-12 shkollimin braktisën 66 nxënës.
Në dy nivelet, ka më shumë djem sesa vajza që ndërprenë shkollimin.

Situata ishte edhe më e rëndë në vitin shkollor 2023/2024, MASHTI konfirmon braktisjen e shkollimit të 138 nxënësve të klasave 1-9 dhe 146 nxënësve të klasave 10-12.

Ndërkaq në vitin shkollor 2022/23, 82 nxënës të klasave 1-9 kishin braktisur shkollimin dhe 86 të tjerë të klasave 10-12.

Këto statistika i konteston Bajram Ilazi, Zyrtar i lartë i programit të edukimit në OJQ “ Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, i cili në një intervistë për Gazetën Express thotë se MASHTI nuk ka statistika të sakta për faktin se “shumica e shkollave nuk e raportojnë numrin e saktë të nxënësve braktisës në SMIA dhe kësisoj edhe nxënësit me 200 mungesa ose më tepër nuk raportohen si braktisës”.
“Për më tepër, nxënësit që braktisin shkollën p.sh në vitin 2024/2025 dhe të njëjtit duhet të ishin në shkollë edhe në vitin shkollor 2025/2026, këta nxënës nuk figurojnë si braktisës dhe në një mënyrë lihen në harresë…”, vijon Ilazi.
Pse ndodh braktisja e shkollës nga nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian?
Gjatë intervistës për Express, Bajram Ilazi, Zyrtar i lartë i programit të edukimit në OJQ “ Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, thekson se arsyet e braktisjes së shkollave nga nxënësit e këtyre komuniteteve lidhem me faktorët socialë, ekonomikë dhe institucionalë.
“Një ndër arsyet më të theksuara mbetet vetëdijesimi i ulët për rëndësinë e arsimit tek prindërit dhe vetë nxënësit, të cilët jo gjithmonë e shohin arsimin si prioritet apo si mjet për zhvillim dhe përmirësim të kushteve të jetesës”, shprehet Ilazi.
“Gjendja e rëndë ekonomike ndikon ndjeshëm, sepse shumë fëmijë angazhohen në punë të ndryshme sezonale apo për mbajtjen e familjes, gjë që çon në mungesa të shpeshta e më pas në braktisje të plotë”, vijon ai.
Si faktor, ai e radhitë edhe bullizmin e diskriminimin që u bëhet fëmijëve.,… “qoftë nga bashkëmoshatarët apo ndonjëherë edhe nga ndonjë anëtar i stafit arsimor, çka ndikon në motivimin e tyre për shkollim por edhe “inkurajimin” për ta braktisur shkollën”, përmend Ilazi.
Tjetër faktor ai përmendi edhe martesat e hershme, sidomos tek vajzat, “e cila vazhdon të jetë një dukuri shqetësuese në disa zona”.
Gjithsesi, Bajram Ilazi bën thirrje që për të ulur nivelin e braktisjes së shkollës, “është thelbësore që të funksionalizohen plotësisht mekanizmat ekzistues dhe të ketë një reagim të koordinuar ndërmjet shkollave, institucioneve komunale, shërbimeve sociale dhe prindërve”.
Ai thekson se “EPRBM-të duhet të jenë aktive dhe të marrin masa që në shenjat e para të mungesave të pajustifikuara, ndërsa institucionet duhet të zbatojnë dispozitat ligjore që i obligojnë prindërit të sigurojnë pjesëmarrjen e fëmijëve në arsimin e detyrueshëm. Fatkeqësisht, deri më tani nuk kemi pasur asnjë rast që është marr ndonjë masë ligjore për prindërit, fëmijët e të cilëve e kanë braktisur shkollën”, pohon ai.
Ilazi gjithashtu kërkon që të punohet në drejtim të krijimit të një mjedisi më gjithëpërfshirës në shkolla, “përmes parandalimit të bullizmit, promovimit të diversitetit dhe ndërtimit të marrëdhënieve të bazuara në respekt e mirëkuptim”.
E për këtë, ai thotë që “institucionet tona duhet të marrin përgjegjësinë dhe të angazhohen seriozisht në parandalimin e braktisjes së shkollës dhe të kujdesen që çdo fëmijë të jetë në shkollë”.
Të dhënat tregojnë se braktisja e shkollës mbetet shqetësuese në të gjitha nivelet arsimore, duke u bërë sfidë e vazhdueshme për sistemin edukativ. /Gazeta Express
Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka quajtur zgjedhjet e mbrëmshme “një mbrëmje interesante”. “Mbrëmë, e dini, nuk pritej të...