Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, i themeluar me idenë për të inkurajuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë, për vite me radhë ka përfaqësuar një platformë unike që lidh skenën kulturore të Prishtinës dhe Beogradit. Në këto tri ditë, festivali krijon një hapësirë ku arti dhe kreativiteti nxisin një reflektim të përbashkët mbi të tashmen dhe të ardhmen e dy shoqërive. Këtë vit, në edicionin e tij të 12-të, festivali do të mbahet nga 20 deri më 22 nëntor në Prishtinë dhe do të mbledh artistë/e të afirmuar/a dhe të rinj/reja nga skena kulturore dhe artistike bashkëkohore e Beogradit.
Në një kohë të shënuar nga rifuqizimi i retorikës nacionaliste – si në rajon ashtu edhe në nivel global – festivali “Mirëdita, dobar dan!” mbetet një hapësirë e veçantë për dialog, mirëkuptim dhe lidhje. Siç thotë koordinatorja e festivalit, Tijana Đuknić [Tiana Gjukniq]: “Pajtimi i vërtetë është i pamundur pa u përballur me të kaluarën dhe pa ndërtuar të ardhmen së bashku. Festivali krijon një hapësirë për bisedë rreth çështjeve të rëndësishme politike dhe socio-historike që formësojnë marrëdhëniet e ndërlikuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa në të njëjtën kohë sjell histori dhe përvoja personale që na kujtojnë gjërat që na lidhin”.
Festivali hapet më 20 nëntor në orën 20:00 në hapësirën Defy Them,me një performancë nga grupi “Pliš” [Plish], një kolektiv i ri nga skena alternative e rokut në Beograd, tingujt e të cilit ndërthurin nostalgjinë e fillimit të këtij shekulli dhe energjinë emocionale të underground-it bashkëkohor.
Dita e dytë e festivalit sjell një program të pasur dhe të larmishëm. Programi fillon me debatin “Paqja kohën e trazirave globale: E ardhmja e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, pasuar nga një tryezë e rrumbullakët në orën 13:00 në hotelin Grand, e cila bashkon autorët/et e librit “Momenti kur për mua nisi lufta/paqja”, organizuar nga organizata Propeace. Pastaj, programi zhvendoset në Qendrën Barabar, ku do të hapet ekspozita e Ivan Šuletić [Ivan Shulletiq], “Falsa Immagine”, e shoqëruar me një instalacion participativ nga artistët e rinj Nemanja Joković [Nemanja Jokoviq] dhe Mihaela Vučinić [Mihaella Vuçiniq], i titulluar “Do You Want to Flatten All Layers Before Saving?”, që prezantojnë një program vizual të kuruar nga Mia David (fillon në orën 15:00).
Mbrëmja do të mbyllet në orën 19:00 në Qendrën Barabar me shfaqjen “Të gjitha Barbi të mira”, në regji të Đorđe Nešović [Gjorgje Neshoviq] dhe në produksion të Hartefakt-it. Shfaqja ndjek një grua të re e cila, në prag të ditëlindjes së saj të tridhjetë, kthehet në qytetin e saj të lindjes dhe përballet me dështimet e veta dhe të kaluarën përmes një serie intensive takimesh emocionale me familjen dhe miqtë.
Dita e tretë dhe e fundit e festivalit, më 22 nëntor, hapet me debatin “Nyja e Kosovës në kohën e protestave masive në Serbi” në orën 13:00 në hotelin Grand, ku do të shqyrtohet situata aktuale socio-politike në Serbi dhe ndikimi në marrëdhëniet me Kosovën. Në këtë aktivitet do të prezantohet edhe botimi “Kronologjia e Kosovës 2.0”, botuar nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut. Po të njëjtën ditë, në orën 17:00, në Bubble Bar do të mbahet një mbrëmje poezie nga Radmila Petrović [Radmilla Petroviq], një nga poetet e reja më të vlerësuara të brezit të ri në Serbi. Festivali do të mbyllet me shfaqjen e filmit “78 Ditë” nga regjisorja Emilija Gašić [Emillia Gashiq], nga ora 20:00 në hotelin Grand (kati i sallave të së kongreseve). Filmi, i cili ka fituar shumë çmime në festivale ndërkombëtare, ndjek historinë e tri motrave që rriten gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. Përderisa babai i tyre është në front, ato nisin një ditar video në Hi8, duke regjistruar butësinë, hutinë dhe qëndrueshmërinë e fëmijërisë nën hijen e luftës.
Të gjitha aktivitet në festival janë falas dhe të hapura për publikun. “Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Iniciativat Qytetare (Serbi), me mbështetjen e National Endowment for Democracy, Bashkimi Evropian, Rockefeller Brothers Fund, Pro Peace – Kosova dhe Qendra Barabar.
Projekti “Kultura dhe Kreativiteti për Ballkanin Perëndimor”, i financuar nga Bashkimi Evropian, synon të nxisë dialogun në Ballkanin Perëndimor përmes avancimit të sektorit kulturor dhe kreativ për një ndikim më të madh socio-ekonomik. Gjatë një periudhe 48-mujore, projekti synon të përmirësojë performancën e sektorit kulturor dhe kreativ për të avancuar aftësitë, njohuritë, qasjen në mbështetje financiare, për t’u rritur konkurrueshmëria dhe mbajtur bashkëprodhimi dhe qarkullimi i mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka quajtur zgjedhjet e mbrëmshme “një mbrëmje interesante”. “Mbrëmë, e dini, nuk pritej të...