Grupi Këshillimor i Politikave për Ballkanin në Evropë (BiEPAG) kanë publikuar komentet dhe analiza për Raportin e Progresit të publikuar dje nga BE për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sa i përket raportit për Kosovën, BiEPAG, vlerëson se ky vit ka qenë një vit i humbur për Kosovën, raporton Gazeta Express.
Në analizë thuhet se viti 2025 ka qenë një vit dëshpërues, me një peizazh politik të brendshëm që sipas BiEPAG s’mund të përshkruhet vetëm me fjalën ngecje, meqë është shumë më shumë.
“Për pjesën më të madhe të periudhës së mbuluar nga raporti, Kosova ishte nën një qeveri kujdestare, me kompetenca të kufizuara dhe një fokus në mbijetesën politike në vend të avancimit të reformave”, thuhet në këtë publikim të BiEPAG.
Sipas kësaj organizate, situatën gjatë këtij viti e ka bërë edhe më të friskhme bllokada politike e ndodhur pas zgjedhjeve të vitit 2025 dhe fushata polarizuese që kishte paraprirë.
“Për ta bërë këtë situatë edhe më të frikshme, zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit 2025 u paraprinë nga muaj të tërë fushate të hershme joformale që filluan në shtator 2024, duke nxitur polarizimin, konkurrencën e fortë politike dhe bojkotet, ndërsa partitë u përqendruan në garën zgjedhore. Edhe kur ekzistonin një parlament dhe një qeveri legjitime, axhenda legjislative u lëkund për shkak të bojkoteve, seancave të jashtëzakonshme të pakuptimta dhe mungesës së vullnetit politik për të çuar përpara reformat kritike”, thuhet ndër të tjera.
Raporti përmend edhe faktin se përgjatë kësaj periudhe kohore, në zgjedhje janë përfshirë edhe kandidatë që janë ministra, dhe qe tashmë kanë mbetur edhe anëtarë të qeverisë në detyrë, deptuet, dhe të njëjtën kohë kandidojnë edhe për kryetar komunash.
Kjo sipas BiEPAG është hipokrizi, rrëmbim pushteti e oportunizëm politik.
“Mes kësaj gare kaotike politike, diskutimet teknike mbi axhendën e reformave të BE-së, reformat gjyqësore, reformën e administratës publike dhe themelet më të gjera shtetërore u lanë mënjanë”, shkruan BiEPAG në raport, raporton Express.
BiEPAG vlerëson gjithashtu se është kontradiktore që elita politike në Kosovë kërkon heqjen e masave të BE-së, ndërkohë që përmes bllokadës politike, po bllokohen fondet e Planit të Rritjes së BE-së.
Kjo organizatë thotë se Raporti i Progresit për Kosovën s’jep asnjë arsye për të festuar dhe se lavdërimi që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ia bën raportit si dëshmi për afrim të Kosovës me BE-në është “pothuajse vetë-lavdërim”
“Progresi në marrëdhëniet e jashtme”, i supozuar nga raporti, është kryesisht simbolik. Përafrimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, veçanërisht ndaj Rusisë, ka qenë prej kohësh vullnetar. Në praktikë, kjo i kushton pak Kosovës dhe i sjell edhe më pak përfitime. Të pozicionohesh kundër Rusisë mund të shërbejë si një shenjë e qëndrimit pro-BE, por bllokimi i ratifikimit të Planit të Rritjes së BE-së dhe pengimi i agjendës së BE-së dëshmon të kundërtën, për shembull”, shkruan BiEPAG, raporton Express.
Sa i përket dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, BiEPAG vlerëson se s’ka pasur kurrfarë përparimi gjatë këtij viti dhe konstatimi se ai ka vazhduar, nuk qëndron.
“Megjithatë, Kurti nuk është i vetmi aktor që shfaq iluzione. Raporti pohon se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja, ka vazhduar gjatë periudhës së raportimit. Në realitet, ai ka mbetur praktikisht i ngrirë. Pavarësisht përpjekjeve të përsëritura për t’u takuar në Bruksel dhe për të rifilluar dialogun teknik, përfshirë edhe negociatat trilaterale nën përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Peter Sørensen, procesi nuk solli pothuajse asgjë përveç formaliteteve procedurale”, thuhet në raport.
Sipas BiEPAG, fakti që Kosova dhe Serbia morën pjesë në dialog është teknikisht i saktë, por mashtrues.
“Pjesëmarrja ishte modeste, kryesisht formale dhe nuk prodhoi rezultate të prekshme. Çdo takim funksionoi më shumë si një gjest performativ sesa si një hapësirë për përparim”, thuhet në raport.
BiEPAG kritikon edhe qasjen e Bashkimit Evropian në raport me procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe aspektit të zbatimit të obligimeve që palët kanë marrë.
“Brukseli është shndërruar në një skenë të dështimit të ritualizuar, ndërsa besueshmëria e BE-së si ndërmjetëse po gërryhet ngadalë. Një qasje vetëkritike që do ta pranonte këtë realitet do të kishte qenë shumë më e besueshme sesa riciklimi i frazave standarde diplomatike”, potencon raporti në BiEPAG.
Në fund thuhet se Raporti për Vendin e Kosovës dokumenton jo vetëm një vit të humbur për Kosovën, por edhe për vetë BE-në.
“Paraliza politike në Kosovë dhe lodhja strategjike në Bruksel e kanë forcuar njëra-tjetrën, duke prodhuar një cikël stagnimi që nuk i sjell dobi asnjërës palë”, thuhet në raport.
“BE-ja e uron veten për gjëra të vjetruara, si liberalizimi i vizave, dhe për përparime simbolike, si heqja graduale e masave, ndërkohë që vazhdon t’ia mohojë Kosovës mbështetjen thelbësore që i nevojitet. Ndërkohë, Kosova mbetet e bllokuar në një cikël të pafund krizash dhe zgjedhjesh, që me shumë gjasë do të zgjasë deri në përfundimin e mandatit të presidentes në mars 2026. Deri atëherë, Plani i Rritjes së BE-së mbetet i pezulluar — ashtu si edhe reformat kyçe”, përfundon analiza e BiePAG për raportin e Progresit për Kosovën./GazetaExpress/

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka quajtur zgjedhjet e mbrëmshme “një mbrëmje interesante”. “Mbrëmë, e dini, nuk pritej të...