Rama: Shqipëria në rrugën e duhur për mbylljen e negociatave brenda 2027-ës - Gazeta Express
string(74) "rama-shqiperia-ne-rrugen-e-duhur-per-mbylljen-e-negociatave-brenda-2027-es"

Shqiperi

Gazeta Express

05/11/2025 12:25

Rama: Shqipëria në rrugën e duhur për mbylljen e negociatave brenda 2027-ës

Shqiperi

Gazeta Express

05/11/2025 12:25

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh i bindur se deri në fund të vitit 2027, Bashkimi Europian do të rekomandojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, Rama tha se progres-raporti i fundit tregon qartë se vendi është në rrugën e duhur për përmbylljen teknike të negociatave.

“Ky raport thotë shumë gjëra por mbi të gjitha thotë një gjë: Që Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbyllur teknikisht negociatat brenda vitit 2027. Dhe duke thënë këtë, raporti i ka thënë të tëra, ndërkohë që patjetër, në këtë rrugë të duhur ka sfida në çdo hap. Sfida dhe çështje për t’u adresuar jo vetëm në mënyrë sasiore por edhe në mënyrë cilësore në çdo hap dhe natyrisht që raporti i progresit është një gotë e mbushur përgjysmë. Ajo që ne kemi bërë është të fokusohemi me të gjithë energjinë e nevojshme tek gjysma bosh, duke bërë që ta mbyllim këtë proces brenda vitit 2027, në mënyrë që raporti në fund të vitit 2027 të shkruajë ‘rekomandojmë Shqipërinë vend anëtar’. Ky është objektivi ynë historik”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se Shqipëria është “i vetmi vend në rajon që përdor Inteligjencën Artificiale në procesin e integrimit”.

Dhe falë Diellës, ne bëjmë transferimin me një shpejtësi shumë të lartë të të gjithë trupit ligjor të BE-së, për ta adoptuar në trupin ligjor të RSH-së dhe, nga ana tjetër, kryejmë me përpikmëri të gjitha ato objektiva që janë vendosur në kalendarin e përbashkët.”, tha ai.

Në fund, Rama pati edhe një mesazh për kundërshtarët politikë, duke theksuar se puna për integrimin është në dobi të të gjithë shqiptarëve. “Kjo qeveri nuk do të largohet pa e bërë Shqipërinë anëtare krenare të Bashkimit Europian,” u shpreh ai.