Përballë mundësisë së një konflikti të armatosur me Shtetet e Bashkuara, qeveria e Venezuelës duket se po i inkurajon qytetarët ta spiunojnë njëri-tjetrin duke përdorur një aplikacion celular të rinovuar për të raportuar persona ose veprimtari të dyshimta, raporton CNN.
Programi, i quajtur VenApp, u lansua fillimisht nga presidenti venezuelas Nicolas Maduro në vitin 2022 si një aplikacion hibrid, që kombinonte një shërbim mesazhesh me një linjë ndihme për njerëzit që donin të raportonin probleme me shërbimet publike, si ndërprerjet e energjisë elektrike apo mungesën e ujit.
Tani po përdoret si një mjet për venezuelasit që t’i informojnë autoritetet për çdo gjë që qeveria mund ta konsiderojë si përçarëse apo të pabesë, duke ngritur alarmin mes kundërshtarëve të Maduros dhe grupeve të të drejtave të njeriut për një mundësi shtimi të ndalimeve politike.
“Kjo nismë përbën një shqetësim serioz për privatësinë, lirinë e shprehjes dhe sigurinë, sepse promovon një sistem të vëzhgimit shoqëror dhe militarizimin e rendit publik”, shkroi grupi aktivist online Venezuela Sin Filtro në një deklaratë.
Ministria e Informacionit e Venezuelës nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi kritikat ndaj aplikacionit.
Duke u frikësuar se presioni amerikan, përfshirë autorizimin e fundit nga presidenti Donald Trump për operacione të CIA në Venezuelë, mund të shkaktonte trazira në vendin e tij, Maduro muajin e kaluar ftoi forcat e armatosura ta mbikëqyrnin krijimin e “një aplikacioni të ri, në mënyrë që populli të mund të raportojë me siguri gjithçka që dëgjon, gjithçka që lexon”.
Brenda një jave, përditësimi u bë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka quajtur zgjedhjet e mbrëmshme “një mbrëmje interesante”. “Mbrëmë, e dini, nuk pritej të...