Komisioni Evropian vlerësoi përparimet e bëra nga Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia drejt anëtarësimit në BE.
Një herë në vit BE-ja vlerëson përpjekjet reformuese të vendeve kandidate për anëtarësim. Në raportin e fundit Komisioni Evropian vlerësoi përparimet e bëra nga Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia drejt anëtarësimit në BE, ndërsa kritikoi ashpër Serbinë dhe Gjeorgjinë.
“Zgjerimi i BE-së është në interesin tonë”, tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Kaja Kallas gjatë prezantimit të raportit vjetor të Komisionit mbi përpjekjet e vendeve kandidate, të martën në Bruksel. “Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një proces i drejtë, i vështirë dhe i bazuar në merita. Megjithatë pranimi i vendeve të reja deri në vitin 2030 është tani një qëllim realist”, tha Kallas.
Komisionerja e BE-së, Marta Kos, përgjegjëse për zgjerimin, tha gjithashtu se pranimi i disa vendeve është “një mundësi reale në vitet e ardhshme”. Megjithatë sipas saj, Serbia e ka ngadalësuar ritmin e reformave të kërkuara për pranim, dhe Gjeorgjia konsiderohet si kandidate për pranim “vetëm në letër”.
Raporti përmbante edhe vlerësime për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Bosnja dhe Hercegovina,Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, deklaroi se BE-ja është më e vendosur se kurrë për të arritur zgjerimin. “Por ky duhet dhe do të mbetet një proces i bazuar në performancë”, shtoi politikania gjermane.
Shqipëria dhe Mali i Zi po i afrohen anëtarësimit në BE
Për Shqipërinë konsiderohet si i mundur përfundimi i negociatave të pranimit deri në fund të vitit 2027. Sipas analizës së re, Mali i Zi është më përpara në procesin e pranimit në BE. Vlerësohet se Mali i Zi mund të jetë gati t’i përfundojë negociatat e pranimit deri në fund të vitit 2026, nëse vazhdon me ritmin aktual të reformave.
Presidenti i Këshillit të BE-së, António Costa, tha se qëllimi i Malit të Zi për të përfunduar negociatat deri në fund të vitit të ardhshëm duket i besueshëm, nëse ky vend do të vazhdojë angazhimin dhe punën intensive për reformat e nevojshme. Ai beson se Mali i Zi mund të bëhet shteti i 28-të anëtar i BE-së në vitin 2028.
Megjithatë përfundimi i negociatave nuk do të thotë që një vend mund t’i bashkohen vërtet BE-së. Kjo sepse duhet që të gjitha shtetet anëtare të BE-së të bien dakord dhe të ratifikojnë traktatet e pranimit të negociuara nga Komisioni Evropian. Në Francë, për shembull, mund të mbahet para ratifikimit edhe një referendum.
A po zgjat shumë procesi i anëtarësimit në BE?
Pushtimi rus i Ukrainës u ka dhënë jetë të re përpjekjeve të lëna pas dore prej kohësh për ta zgjeruar BE-në. Për shkak të agresionit rus ndak Ukrainës dhe konkurrencës me Kinën Brukseli e sheh zgjerimin si një përparësi gjeopolitike.
Por si në Bruksel edhe në Gjermani shihen me shqetësim proceset shumë të gjata të vendimmarrjes brenda BE-së. Arsyeja kryesore është rreziku që vendet që nuk kanë perspektivë anëtarësimi mund të krijojnë partneritete më të ngushta me rivalët në sistem të BE-së, Kinën ose Rusinë. “Njerëzit po fillojnë të humbasin besimin në një të ardhme të shpejtë në BE”, paralajmëroi së fundmi Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul në një takim me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Me zgjerimin potencial të BE-së Brukseli synon edhe reforma për të siguruar aftësinë e tij për të marrë vendime. Vitet e fundit, vende si Hungaria kanë bllokuar vazhdimisht punën e BE-së dhe kanë minuar sundimin e ligjit në vend. Komisionerja e BE-së, Marta Kos, tha se BE dëshiron të zbatojë “masa mbrojtëse më të forta” për të parandaluar që kjo të ndodhë përsëri. /DW
Sot, FiveStar Fitness ngjitet në skenën e CineStar për një mbrëmje që premton emocion, motivim dhe shumë dhurata për...