Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën. AGK-ja thotë se ky Raport ka evidentuar se nuk ka progres në fushën e medias, që gazetarët janë ende në rrezik dhe vazhdojnë fushatat denigruese kundër tyre.
“Raporti i publikuar nënvizon se Kosova duhet të forcojë kapacitetet e prokurorisë, gjykatave dhe organeve të rendit për t’u marrë me rastet e dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, të krijojë protokolle dhe trajnime për mbrojtjen e tyre, si dhe të përmirësojë kushtet e punës”, thuhet në komunikatë.
Aty thuhet se Raporti evidenton 70 raste të sulmeve fizike dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, ndëra përmend gjuhën ofenduese nga zyrtarët e lartë- përfshirë kryemininstrin.
“Gjatë vitit të fundit të periudhës së raportimit (1 shtator 2024 – 1 shtator 2025), Raporti evidenton 70 raste të sulmeve fizike dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, përfshirë pengimin e punës së tyre dhe përdorimin e gjuhës ofenduese nga zyrtarë të lartë, përfshirë Kryeministrin gjatë fushatës zgjedhore”, thotë AGK.
Sa i përket ligjeve, AGK thekson se Raporti evidenton se legjislacioni mediatik në Kosovë ende nuk është harmonizuar me standardet evropiane dhe direktivat e BE-së.
“Ligjet për RTK-në dhe mbrojtjen e burimeve të gazetarëve nuk janë miratuar, ndërsa Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) u anulua nga Gjykata Kushtetuese për shkak të mënyrës së emërimit dhe shkarkimit të anëtarëve, duke rrezikuar pavarësinë e institucionit. Funksionimi i institucioneve mediale mbetet shqetësues. KPM-ja nuk ka kuorum që nga janar i vitit 2025, dhe ka mbetur vetëm me dy anëtarë, duke pamundësuar marrjen e vendimeve. Bordet e RTK-së dhe pozicioni i Drejtorit të Përgjithshëm mbeten të paplotësuara, duke lënë Transmetuesin Publik në një gjendje disfunksionale dhe të cenueshme ndaj presionit politik. Raporti i veçon KPM-në dhe KQZ-në si institucione të pavarura që kanë pasur presion politik”, thuhet në komunikatë.
AGK shtonn se Raporti thekson gjithashtu mungesën e fondeve të qëndrueshme për RTK-në.
“75% e buxhetit shkon për paga, ndërtesa e RTK-së është në gjendje të dobët dhe nuk i përket institucionit, ndërsa shumë staf teknik ka dalë në pension ose ka marrë leje pa pagesë. Kjo e bën të vështirë për RTK-në të funksionojë normalisht dhe të ofrojë shërbime cilësore. Sektori medial mbetet i pasigurt financiarisht dhe i ndikuar politikisht, me mungesë transparence mbi pronësinë dhe financimin e mediave”, thuhet në komunkatë.
Sot, FiveStar Fitness ngjitet në skenën e CineStar për një mbrëmje që premton emocion, motivim dhe shumë dhurata për...