Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i pyetur se a i ka numrat Glauk Konjufca, ka thënë se ai i ka votat që i kishte edhe vetë Kurti, pra 56. Tutje, i pari i Vetëvendosjes tha se nuk sheh koalicion me partitë tjera, raporton EO.
“Konjufca i ka që të gjitha votat që i kam pasur unë. Ju e dini që më datën 26 tetor në Kuvend unë i mora 56 vota. Ato i ka sigurt edhe Glauku, ndoshta ka edhe më shumë, por më pak nuk mund të marrë. Domethënë maksimumi im është minimum i Glaukut, prandaj le të përpiqemi maksimalisht”.
“Le të përpiqemi ta formojmë një qeveri dhe të ecim përpara. Sa i përket koalicioneve me këto parti, nuk po shoh kurrfarë mundësie, as teorike madje, për shkak të mosbashkëpunimit të tyre. Kemi shkruar letra, na është përgjigjur publikisht, na kanë thënë të mos takohemi. Në këtë atmosferë kaq të intoksikuar, unë nuk po shoh se si mund të ketë bashkëpunim mes partive”.
“Por, nëse mund të krijojmë diçka elementare — qoftë edhe të përkohshme, atëherë ekziston një shans që këtë ta bëjmë, nëse ekziston minimumi i vullnetit”, tha Kurti, raporton EO.
Albin Kurti, ka bërë të ditur se nuk ka obligim të sigurojë 61 nënshkrime për t’ia dorëzuar presidentes Vjosa Osmani për zgjedhjen e Qeverisë së re.
“Sot dërguam tek zonja presidente emrin e Glauk Konjufcës, nënkryetarit të parë të subjektit ku unë jam kryetar, që të bëjmë edhe një tentim për zgjedhje të Qeverisë që të mos ketë dy palë zgjedhje për pak muaj,” tha Kurti.
Ai shtoi se, për shkak se Qeveria aktuale nuk mund të votojë buxhet, Qeveria e re do të ketë mundësi të votojë buxhetin e vitit 2026.
“Nëse duhen 61 nënshkrime, nuk do të kishte kuptim afati 15 ditor për zgjedhjen e Qeverisë. Sa vota janë saktësisht, mund të merret vesh vetëm në seancën plenare,” shtoi Kurti.