Mexhiti pranon zyrtarisht detyrën si kryetar i Komunës së Çairit: “Rikthehem mes njerëzve të mi, me nder dhe përkushtim”
Shkup, 4 nëntor – Izet Mexhiti ka pranuar sot zyrtarisht detyrën si kryetar i Komunës së Çairit, duke u rikthyer pas disa vitesh në institucionin ku nisi karrierën e tij politike dhe publike. Në fjalën e tij të parë pas marrjes së detyrës, Mexhiti u shpreh se rikthimi në Çair për të është një moment simbolik dhe emocional, sepse, siç tha ai, “këtu filloi gjithçka”.
“Nga sot po rikthehem në vendin tim, mes njerëzve të mi, me nder, me përulësi dhe me mirënjohje të thellë. Po rikthehem aty ku mësova çfarë do të thotë të punosh për njerëzit, të dëgjosh hallet e tyre dhe të ndash me ta çdo arritje”, deklaroi Mexhiti. Ai falënderoi qytetarët e Çairit për mbështetjen e fuqishme që i dhanë në zgjedhjet lokale, duke theksuar se kjo fitore ishte “një mesazh i qartë për vazhdimësi, zhvillim dhe punë”.
“Çairi më ka mbështetur gjithmonë, në çdo hap të karrierës sime. Edhe kësaj here, më dha një fitore të pakontestueshme që dëshmoi fuqinë dhe peshën tonë politike. Kjo është një përgjegjësi e madhe që do ta kthej në punë dhe rezultate”, u shpreh ai. Mexhiti theksoi se prioriteti i tij do të jetë ndërtimi i një administrate efikase, transparente dhe të ndershme, që do të vendosë interesin publik mbi çdo gjë tjetër. “Unë e di çfarë pret Çairi – pret punë të ndershme, rezultate konkrete dhe një qeverisje që nuk njeh asgjë më të shenjtë se interesi publik. Dhe këtë do ta ketë”, theksoi ai, duke shtuar se rikthimi i tij në krye të komunës është edhe një rikthim ndaj një misioni personal.
“Çairi është pjesë e identitetit tim. Është historia ime personale dhe misioni im publik. Në çdo fazë të jetës sime, Çairi ka qenë forca që më ka mbajtur drejt dhe më ka kujtuar pse ia vlen të punosh për njerëzit e tu.” Në fund të fjalës së tij, Mexhiti u zotua për një mandat aktiv, bashkëpunues dhe reformues:
“Përpara nesh qëndron një kapitull i ri. Do të punojmë bashkë me qytetarët, me plan të qartë, me transparencë dhe me guxim për të bërë ndryshime të mëdha. Kam besim te njerëzit e Çairit, te energjia dhe dashuria e tyre për këtë vend. Nga sot fillon puna për Çairin që duam. Nga sot fillon KOHA jonë!” Mexhiti e mbylli fjalën me falënderime për qytetarët dhe me një premtim të qartë: ta udhëheqë Çairin me nder, përgjegjësi dhe dashuri të sinqertë për njerëzit e tij.
tag_katrorimaqedoni_2