Nga sot, udhëtarët që kalojnë nëpër Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” do të kenë mundësinë të ndalojnë për një çast e të njihen me forcën dhe qëndresën e grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Në ambientet e aeroportit është hapur këndi “Një çast për të”, ku ekspozohen dhe shiten punime artizanale të realizuara nga këto gra. Kjo nismë u bë e mundur falë bashkëpunimit mes Fondacionit “Jahjaga”, Medika Gjakova, Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave dhe Ambasadës së Turqisë në Kosovë.
Pas hapjes së këtij këndi ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga duke e konsideruar si hap historik për këtë kategori të shoqërisë tha se ky kënd i punimeve të të mbijetuarave të dhunës seksuale po bëhet me rastin e përvjetorit të 25-të të rezolutës 13-25.
Jahjaga teksa theksoi që gjithë karrierën e saj ia ka kushtuar të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, bëri thirrje tek qytetarët t’i blejnë këto produkte dhe t’u dalin në ndihmë grave e burrave të dhunuara seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovës.
“Sot dua t’u bëjë thirrje të gjithë atyre qytetarëve, të gjithë atyre turistëve që kalojnë përmes këtij aeroporti të ndalen në këtë kënd që ne e kemi quajtur ‘Një çast për të’ që të ndalen t’i shikojnë dhe të marrin një kujtim nga Kosova. Por, nuk është vetëm një kujtim nga Kosova, por është një punë e bërë me shumë pasion nga këto gra që ka qenë edhe si pjesë e trajtimit të tyre, por është edhe pjesë e dhimbjes së këtyre grave dhe burrave. Dhe një simbol i vogël nga këta qytetarë tanë është një ndihmë e madhe për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, u shpreh ish-presidentja Jahjaga.
Ambasadori i Tuqisë në Prishtinë, Sabri Tunq Angili është shprehur i lumtur që përmes këtij projekti kanë ndihmuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës qoftë në mënyre shpirtërore, por edhe financiare.
“Si ambasadë turke dhe si kompani të Turqisë dhe Kosovës, ne do të jemi të lumtur dhe krenarë që jemi pjesë e këtij projekti kaq të rëndësishëm dhe me domethënie. Nga Drenasi dhe Gjakova, gratë që dikur ishin viktima të luftës, falë mbështetjes së Fondacionit Jahjaga, mund të gjejnë një lloj qëllimi shpirtëror, para së gjithash. Dhe së dyti, që është po aq e rëndësishme sipas mendimit tim, ato mund të gjejnë një mundësi për të marrë mbështetje financiare për punën e bukur që të gjithë e shohim këtu. Mendoj se kjo flet më shumë se fjalët. Prandaj, si ambasador, si ambasadë, si kompani të Turqisë, ne do të jemi krenarë dhe të lumtur për këtë mundësi”, tha ai.
Në Kosovë ende nuk dihet saktë numri i të përdhunuarve gjatë luftës së viteve 1998/99, por sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, bëhet fjalë për 20 mijë gra e burra të dhunuar.