Rreth 60 serbë nga Kosova marshuan drejt Novi Sadit për të mbështetur presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Gjatë fundjavës, Kosova u bë një nga temat e përplasjes mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të pushtetit në Serbi.
Në kampin e tendave në Parkun e Pionierëve në Beograd – ku mblidhen mbështetësit e Partisë Përparimtare Serbe në pushtet – dëgjoheshin këngë për Kosovën nga altoparlantët.
Në anën tjetër, një grup njerëzish që shkoi për të mbështetur Dijana Hërkën – nënën e një prej viktimave të një aksidenti vitin e kaluar në Novi Sad, e cila kishte nisur grevën e urisë para Kuvendit – brohoriste parulla fyese ndaj presidentit Vuçiq, duke përdorur edhe një shprehje ofenduese për shqiptarët: “Aco, shqiptare”.
Policisë, e cila ishte e vendosur midis këtyre dy grupeve, i bëhej thirrje “të shkonte në Kosovë”, ose i thuhej “e ke tradhtuar Kosovën”.
Që nga rrëzimi i një strehe në stacionin hekurudhor në Novi Sad, në nëntor të vitit 2024, kur humbën jetën 16 persona, Serbia u përfshi nga protesta masive kundër Qeverisë, të udhëhequra nga studentët.
Ata bëjnë thirrje për përgjegjësi politike dhe penale dhe i akuzojnë institucionet shtetërore për korrupsion – akuza që autoritetet i mohojnë.
Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, vlerëson se Qeveria serbe po përdor retorikë patriotike dhe simbole kombëtare për të sfiduar legjitimitetin e protestave dhe të kritikëve, ndërsa Aleksandar Popov, nga Qendra joqeveritare për Rajonalizëm në Novi Sad, thekson se midis kundërshtarëve të Qeverisë serbe po formohen dy grupe – njëri liberal-qytetar dhe tjetri patriotik-nacionalist, i cili akuzon Qeverinë për “tradhti ndaj Kosovës”.
Qëndrimet e tilla, sipas Gogiqit dhe Popovit, tregojnë se çështja e Kosovës mbetet një element i rëndësishëm dhe i ndjeshëm në politikën dhe shoqërinë serbe.
Në mes të tetorit, protesta paralele u mbajtën në disa qytete dhe qyteza të Serbisë, pas thirrjeve nga studentët dhe mbështetësit e Qeverisë së Serbisë për të mbështetur serbët nga Kosova.
Kë mbështesin serbët nga Kosova?
Për të qëndruar krah për krah me autoritetet serbe dhe për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj protestave antiqeveritare, serbë nga pjesë të ndryshme të Kosovës u nisën për në Novi Sad më 29 tetor, “për të marrë pjesë në një tubim të madh kombëtar të serbëve që kundërshtojnë bllokadat dhe ndalimin e përparimit të Serbisë”.
Grupi përbëhej kryesisht nga anëtarë dhe mbështetës të Listës Serbe – partisë më të madhe serbe në Kosovë, të mbështetur nga Beogradi.
Partia Përparimtare Serbe tha më 2 nëntor se serbët nga Kosova “po dërgojnë një mesazh të qartë se ata e dinë se kush po lufton për ta” dhe se “duan që Serbia të vazhdojë të zhvillohet”.
“Kosova është zemra e Serbisë, nga fitorja jonë lind dielli i lirisë”, tha ministri serb i Investimeve Publike, Darko Gllishiq, i cili priti një grup serbësh nga Kosova në qytetin Lig.
Një grup serbësh nga Kosova, të mbledhur rreth Listës Serbe, shkon rregullisht në tubime për të shprehur mbështetje për autoritetet në Serbi.
Herën e fundit kur një grup këmbësorësh shkoi në Beograd, ishte në prill të këtij viti, për të mbështetur Lëvizjen për Popullin dhe Shtetin, themelimin e së cilës e inicioi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit në Kosovë e përshkroi marshimin e serbëve nga Kosova si “një shfaqje politike” që “është larg interesave të shumicës së serbëve nga Kosova”.
“Ky grup nuk flet në emër të shumicës dhe marshimi i tij ishte një spektakël, i përshtatur për kamerat dhe momentin mediatik, dhe jo një shprehje e problemeve dhe nevojave reale të popullit serb në Kosovë. Njerëzit që duan lirinë në Serbi, po luftojnë për gjëra themelore, siguri, vende pune, arsim, dhe jo për përshëndetje politike para kamerave dhe pankarta të përshtatshme”, deklaruan nga kjo parti.
Ivan Vuçkoviq, nga Iniciativa Qytetare “Koreni”, e cila fitoi një vend në këshill në zgjedhjet e fundit lokale në Leposaviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se serbët nga Kosova përdoren ekskluzivisht për nevoja të përditshme politike.
Ai tregon se u ka thënë serbëve në Serbi se jo të gjithë në Kosovë mendojnë njësoj.
“Doja të përcillja një mesazh të tillë në çdo fjalim publik. Thashë gjithashtu gjatë fushatës se jo të gjithë serbët këtu, janë serbë nga Lista Serbe, ose se të gjithë serbët mbështesin udhëheqjen aktuale [në Serbi]. Në Leposaviq u vërtetua se janë gjithsej 2.000 njerëz të tillë”, thotë Vuçkoviq.
Ai gjithashtu beson se çështja e Kosovës po vihet në plan të parë nga mbështetësit e Qeverisë në protestat antiqeveritare në Serbi, për të demonstruar “monopolin e tyre mbi patriotizmin”.
“Si serb nga Kosova, nuk dua të jem pjesë e kësaj, as nuk do të jem ndonjëherë pjesë e kësaj. Më vjen keq për ata njerëz që janë si kukulla”, shton ai.
Pse sërish flitet për Kosovën?
Politologu Ognjen Gogiq thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e Kosovës gjatë protestave antiqeveritare në Serbi, po ngrihet “jashtë kontekstit”, sepse Qeveria nuk ka ide se si t’i përgjigjet gjithçkaje që po ndodh në Serbi.
“Me këto këngë patriotike [nga mbështetësit e Qeverisë] dhe duke i ngritur tre gishta, ata duan të tregojnë se ata që rebelohen kundër Qeverisë, janë serbë të këqij. Kjo është jashtë kontekstit. Ndoshta kishte kuptim në vitet ’90; [Sllobodan] Millosheviq e mbrojti veten në atë mënyrë, por atëherë Kosova ishte një çështje e hapur kombëtare”, thotë Gogiq.
Sipas tij, një pjesë e publikut në Serbi beson se Vuçiq “e tradhtoi Kosovën” dhe se tema e Kosovës është ende një pjesë shumë e rëndësishme e politikës serbe.
“Kosova është sigurisht një element i rëndësishëm për çdo komunikim politik. Kosova ende ka potencialin të tërheqë vëmendjen”, thotë ai.
Popov: Çështja e Kosovës duhet të zgjidhet brenda shoqërisë
Aleksandar Popov, nga Qendra për Rajonalizëm në Novi Sad, thekson se kundërshtarët e Qeverisë aktuale në Serbi janë ndarë në dy grupe pas incidentit në Novi Sad: një grup liberal, i orientuar drejt qytetarisë, që mbron parimet demokratike, sundimin e ligjit dhe median e lirë, dhe një grup patriotik nacionalist që, përveç uzurpimit të institucioneve shtetërore dhe minimit të sundimit të ligjit, akuzon Qeverinë për “tradhti ndaj Kosovës”.
“Nëse e kujtoni tubimin e 28 qershorit të organizuar nga studentët, ishte një tubim patriotik ku u përmend Kosova, dhe Millo Llompar foli për vizionin e Serbisë në rajon. Ky grup e konsideron Vuçiqin tradhtar… se ai e tradhtoi Kosovën”, thotë Popov për Radion Evropa e Lirë.
Në këtë tubim, studentët për herë të parë shprehën publikisht qëndrimin e tyre ndaj politikës së jashtme të Serbisë, marrëdhënies me Kosovën, si dhe çështjes së kombit serb në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Një nga folësit ishte profesori universitar, Millo Llompar, i njohur për qëndrimet e tij të djathta – gjë që shkaktoi kritika në një pjesë të opinionit publik në Serbi, si dhe në vendet e rajonit.
Parlamenti Evropian në Rezolutën e tij për Serbinë shprehu, gjithashtu, shqetësim për praninë e narrativëve nacionalistë “në pjesë të caktuara të lëvizjes protestuese”.
Popov thekson se, nëse dhe kur Qeveria aktuale në Serbi të ndryshojë, grupi liberal-demokratik dhe ai patriotik-nacionalist do të duhet të zgjidhin çështje të hapura, siç është Kosova, brenda shoqërisë.
Aktualisht, nënvizon Popov, çështja e Kosovës po keqpërdoret, ndërsa Qeveria aktuale përpiqet t’ia fshehë publikut se ka njohur pavarësinë e Kosovës përmes pranimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Kjo është marrëveshja e fundit midis Kosovës dhe Serbisë për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, sipas së cilës të dyja vendet duhet të respektojnë integritetin territorial të njëra-tjetrës, të njohin simbolet dhe dokumentet shtetërore.
Popov, po ashtu, vlerëson se regjimi aktual në Serbi, përmes Listës Serbe, po përmbush detyrimet e tij. Në këtë kontekst, ai përmend tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, e cila u pasua nga mbyllja e pothuajse të gjitha institucioneve serbe në Kosovë.
Ndaj, sipas tij, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe – për të cilin është rënë dakord në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë – është gjithashtu i pakuptimtë.
“Ka vetëm biseda dhe manipulime për Kosovën dhe askush nuk dëshiron të thotë se cila është situata reale. Miti i Kosovës është i pranishëm midis serbëve dhe po ushqehet vazhdimisht”, thotë Popov.
Dialogu politik midis Kosovës dhe Serbisë u bllokua që nga shtatori i vitit 2023, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.
Prishtina e akuzoi Serbinë për këtë sulm, por ajo mohoi se ka ndonjë përgjegjësi./REL/