KFOR-i thotë se situata e sigurisë në kufi është e qetë, pasi policia njoftoi për rrëmbimin e një serbi - Gazeta Express
string(102) "kfor-i-thote-se-situata-e-sigurise-ne-kufi-eshte-e-qete-pasi-policia-njoftoi-per-rrembimin-e-nje-serbi"

Lajme

Gazeta Express

03/11/2025 23:10

KFOR-i thotë se situata e sigurisë në kufi është e qetë, pasi policia njoftoi për rrëmbimin e një serbi

Lajme

Gazeta Express

03/11/2025 23:10

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se është dijeni rreth njoftimit të Policisë së Kosovës se një serb i Kosovës dyshohet të jetë plagosur dhe rrëmbyer nga xhandarmëria e Serbisë brenda territorit të Kosovës, mirëpo situata e sigurisë në vijën kufitare është e qetë.

“Policia e Kosovës ka nisur hetime dhe vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me disa entitete, përfshirë KFOR-in. Policia e Kosovës e ka koordinuar aktivitetin e vet në anën kosovare të vijës kufitare administrative me KFOR-in”, është thënë në përgjigjen e këtij misioni.

Autoritetet e Kosovës e kanë akuzuar të hënën Serbinë për cenim të integritetit territorial të Kosovës, pasi Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 1 nëntor ka pranuar informacion se në zonën e Leposaviqit, një shtetas i Kosovës, i nacionalitetit serb, me inicialet M.V., dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe.

Në anën tjetër, autoritetet në Serbi nuk janë deklaruar rreth këtij rasti.

Sipas njoftimit të Policisë, vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra brenda hapësirës [siç quhet pika zero -0-], në afërsi të zonës së Leposaviqit, qytet në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe.

Sipas këtij institucioni, Policia e Kosovës ka bashkëpunuar me misionin e NATO-s në Kosovë [KFOR] si përgjegjës për zonën/brezin kufitar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se bota demokratike duhet të reagojë e t’i ndalë këto sulme të Serbisë.

Sipas saj, “kjo është edhe një dëshmi shtesë e qasjes së saj hegjemoniste, ku çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme”.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se ky veprim është pjesë e politikave të Serbisë për frikësim dhe përndjekje ndaj qytetarëve që nuk i binden regjimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit.

“Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme. Ajo përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook, dhe i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar të reagojë ndaj Serbisë dhe që këto veprime armiqësore të mos përsëriten.

Çfarë tha tjetër Policia?

Policia e Kosovës tha se viktima, i identifikuar me inicialet M.V., sipas dëshmitarëve është dërguar me një autoambulancë në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi.

Policia tha se ka intervistuar dëshmitarët okularë dhe përmes tyre ka siguruar informacionet se “persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën, të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë”.

Lidhur me këtë rast, Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrisë e Mbrojtjes të Serbisë, por deri më tani nga këto institucione nuk janë përgjigjur.

Përgjigje nuk kthyen as nga Qendra Klinike Universitare në Nish.

Informacionet e para lidhur me plagosjen dhe rrëmbimin e dyshuar i pari i bëri publike avokati Ivan Niniq në Serbi. Ai shkroi në X se Millan Vukashinoviq ishte plagosur rëndë gjatë të shtënave në fshatin Jellakcë, afër Leposaviqit dhe se mjekët në Qendrën Klinike Universitare në Nish po tentojnë që t’ia shpëtojnë jetën.

Leposaviqi gjendet në brezin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, është reaguesi i tretë i sigurisë në vend, pas Policisë dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

KFOR-i, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet e Kosovës akuzojnë xhandarmërinë serbe se hyn në territorin e shtetit. Në mars të vitit 2012, dy policë të Kosovës ishin arrestuar në fushatin Dumnicë të Podujevës. Pas 48 orësh ata ishin liruar.

Ndërkaq, më 2023 tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës ishin arrestuar.

Sipas autoriteteve në Beograd, ata u kapën më shumë se një kilometër thellë në territorin serb, ndërsa zyrtarët në Prishtinë thanë se ata u rrëmbyen në Kosovë, gjatë një patrullimi kufitar.