Në kuadër të programit “Netët e Filmit Shqiptar” i cili organizohet bashkë me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë dhe Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, Kino Armata do të shfaq sonte nga ora 19:00 versionin e restauruar të filmit “Kur po xhirohej një film”, i realizuar në vitin 1981 nga Xhanfise Keko.
Filmi trajton një temë të rëndësishme sociale në lidhje me familjen. Një film i ri po xhirohet në një qytet të vogël. Aktorët janë një grup fëmijësh. Genti i vogël është nën stres sepse prindërit e tij Liljana dhe Kujtimi janë ndarë për shkak të qëndrimit mikroborgjez të Kujtimit kundrejt Liljanës.
Xhanfise Keko njihet gjerësisht në Shqipëri si një nga kineastet më të mira dhe pa dyshim për punën e saj të përkushtuar ndaj filmit për fëmijë. Ajo ishte një nga të paktat regjisore shqiptare që arriti t’i shfaqte filmat e saj në Itali, Francë, Brazil, Spanjë, Greqi, Turqi, etj.
Gjatë viteve ’70 dhe ’80, kur Xhanfise Keko realizoi 11 filma artistikë, Shqipëria ishte vendi më i izoluar në Evropë dhe artistët detyroheshin të punonin brenda kornizës së ideologjisë komuniste të asaj kohe. Megjithatë, Xhanfise Keko ishte një nga të paktat artiste që arriti ta “mashtronte” këtë dogmë me inteligjencë, duke përdorur këndvështrimin e fëmijëve përmes universialitetit të botës së tyre gjë që e bëri këtë një nga zbulimet e kinemasë në dekadën e fundit.