“Kujdes nga Kurt’H’i”: arti politik që çmonton propagandën e pushtetit - Gazeta Express
string(65) "kujdes-nga-kurthi-arti-politik-qe-cmonton-propaganden-e-pushtetit"

Arte

Donjeta Abazi

03/11/2025 16:14

“Kujdes nga Kurt’H’i”: arti politik që çmonton propagandën e pushtetit

Arte

Donjeta Abazi

03/11/2025 16:14

Në një peizazh politik ku arti rrallëherë gjen guximin për të sfiduar pushtetin, ndërhyrja e re “Kujdes nga Kurt’H’i” e artistit I Am I ngrihet si një manifest i qartë kundër kontrollit politik dhe populizmit që maskohet si ndryshim. Në kuadër të fushatës së artit politik #ArtistsShouldNotSupportPopulistAndAuthoritarianPoliticians, kjo ndërhyrje shfaqet në hapësirat publike të Prishtinës si një paralajmërim estetik e politik njëkohësisht dhe një thirrje për vigjilencë qytetare ndaj kurtheve të “demokracisë së kontrolluar”.

Koncepti sipas artistit:

Metaforkisht, titulli është një lojë gjuhësore dhe semantike mes fjalës “kurthi” dhe mbiemrit “Kurti”, ku shtesa e vetme, shkronja “H” simbolizon figurën marionetë të Hajrullah Çekut, kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar në Prishtinë. Simbolikisht “H” shpërfaq hallkën e manipulimit ndërmjet liderit dhe instrumentit të tij politik – mënyrën përmes së cilës regjimet populiste dhe liderët autokratë e mirëmbajnë pushtetin duke e maskuar kontrollin si ndryshim nëpërmjet mekanizmave të tillë. Në këtë mënyrë, ndërhyrja artistike është një thirrje reflektuese për qytetarët, për të kuptuar dhe sfiduar kurthin e “demokracisë së kontrolluar”. Metafora e “kurthit” merr trajtë visual alegorike përmes simbolikës konceptual të qytetarëve si minj, të cilëve përmes populizmit u ofrohet “djathi” për rënie në kurthin e autokracisë. Djathi, konceptualisht bëhet metaforë e propagandës, ndërsa qyteti shndërrohet në një labirint të pushtetit.

Prishtina, në këtë ndërhyrje artistike, trajtohet si beteja kyçe për demokracinë në Kosovë, duke rezonuar brenda hartës së autokracisë moderne, ku kapja e kryeqytetit është momentum vendimtar për kapjen e shtetit. Historia politike rajonale na ka traguar se kur regjimet autoritare e marrin kryeqytetin, ato e kapin shtetin, duke kontrolluar “imagjinatën kolektive” për të krijuar pushtetin absolut. Shembull, në Turqi, Rexhep Tayyip Erdogan e konsolidoi pushtetin pasi partia e tij mori kontrollin mbi Ankaranë, por që viti 2019 e tregoi edhe të kundërtën, humbja e Ankarasë tronditi seriozisht regjimin e tij. Po ashtu, Viktor Orban në Hungari e forcoi regjimin e tij pas marrjes së kontrollit të plotë mbi Budapestin, duke e shndërruar kryeqytetin në qendër të propagandës autokratike, njëherit, në Serbi, Aleksandar Vucic e ka përdorur Beogradin si makineri të propagandës dhe shpërndarjes së klientelizmit politik, duke e kthyer në epiqendër të pushtetit vertikal. Kurse, Edi Rama në Shqipëri e ndërtoi modelin e “demokracisë vizuale” vetëm pasi e ktheu Tiranën në skenë të imazhit të pushtetit, ku ngjyrat e fasadave edhe sot mbulojnë erozionin e demokracisë, edhe në Poloni, Jaroslaw Kaczynski e përdori Varshavën si arenë për “reformimin ideologjik të shtetit”, duke instaluar një regjim brutal që ushtrohej me shtypje dhe represion.Madje edhe në Rusi, Vladimir Putin ngriti sistemin e tij të kontrollit përmes mbajtjes së Moskës si laborator të pushtetit total mbi hapësirën publike dhe mediatike.

Në këtë kontekst, ndërhyrja artistike e angazhur politikisht “Kujdes nga Kurt’H’i” artikulon artiskisht në mënyrë protestative rrezikun e shndërrimit të kryeqytetit në instrument propagandistik të pushtetit, si një alarm simbolik dhe manifest kundër kurthit politik, si dhe një thirrje qytetare për të mos u bërë mi i djathit propagandistik – në kurthin e Albin Kurtit përmes Hajrullah Çekut.

Nga këndvështrimi ynë

Ndërhyrja i kthen muret e Prishtinës në pasqyra të vetëdijes politike të qytetarëve. Në vend që të dekorojë, ajo shqetëson dhe në vend që të thotë e gjetëm “zgjidhjen”, ajo pyet “çfarë po ndodh me demokracinë tonë?”. Arti politik nuk moralizon por ekspozon kontradiktat e pushtetit dhe mënyrën si imazhi përdoret për të ndërtuar realitetin. Në këtë rast, “djathi” metaforik që tërheq minjtë bëhet simbol i premtimeve që ushqejnë një iluzion kolektiv, premtime që, një herë të konsumuar, e zbulojnë kurthin e varësisë nga lideri.

(Pa) rehatia e artit

Ky lloj arti nuk është i rehatshëm. Ai e vendos publikun në pozitë të sikletshme, duke e detyruar të mendojë për marrëdhënien e vet me pushtetin. “Kujdes nga Kurt’H’i” është në thelb një akt i shkujdesur, një ndërhyrje që i ikën formatit institucional të artit për ta testuar reagimin e qytetit. Kjo e bën të gjallë, të rrezikshme dhe të domosdoshme.

Në një shoqëri ku narrativa politike përpiqet ta përvetësojë edhe gjuhën e artit, ndërhyrje si kjo e rikujtojnë rolin e tij origjinal, të jetë kritik e jo dekor. Përmes një figure të vetme, artisti arrin të artikulojë një dilemë më të madhe, atë së çfarë ndodh kur pushteti fillon të besojë në vetë mitologjinë e tij? Dhe çfarë roli i mbetet qytetarit përballë një teatri politik që prodhon imazhe më shpejt se ide?

Në fund, “Kujdes nga Kurt’H’i” nuk është vetëm një ndërhyrje kundër një individi por kundër mënyrës se si demokracia mund të rrëshqasë në spektakël. Ajo nuk kërkon të bjerë në sy, por të mos lërë syrin rehat. E kjo është ndoshta ajo që arti duhet të bëjë gjithmonë: ta shqetësojë qetësinë e pushtetit.

/Gazeta Express