Luhatjet e çmimeve të derivateve në tregjet ndërkombëtare kanë shkaktuar shqetësime tek drejtuesit e automjeteve në Kosovë, për shkak që sipas tyre shpesh herë kur ka ulje në bursa nuk po reflektohet në mënyrë të dukshme në tregun vendor.
Sipas qytetarëve, çmimet në vend nuk janë zvogëluar në të njëjtën masë si në tregjet e jashtme.
Për zhvillimet në sektorin e naftës, kryetari i Shoqatës së Nafterëve të Kosovës, Fadil Berjani thekson për KosovaPress se çmimet aktuale në Kosovë janë: Diesel: 1.15 euro deri 1.24 euro për një litër. Ndërsa, sipas tij, benzina po tregtohet 1.16 deri 1.25 euro për një litër.
Sipas tij, indeksi Crude Brent që ndikon në çmimet e naftës u rrit mbi 5%, duke u tregtuar rreth 65.85 dollarë për fuqi.
“Kjo rritje erdhi pas sanksioneve të reja amerikane ndaj kompanive kryesore ruse të naftës, që ngriti shqetësime për një furnizim më të kufizuar në nivel global. Në të njëjtën kohë, rezervat e naftës në SHBA ranë në mënyrë të papritur. Kombinimi i këtyre faktorëve ka ringjallur frikën për tregjet e energjisë dhe ka treguar se sa shpejt zhvillimet gjeopolitike mund të lëvizin çmimet e naftës”, thekson ai.
Se a janë duke u monitoruar çmimet e naftës në Kosovë, nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk janë deklaruar për KosovaPress. Po ashtu nga kjo Ministri nuk kanë kthyer përgjigje sa a janë ende të përcaktuara edhe çmimet në Kosove dhe marzha e fitimit të tyre me shumicë dhe pakicë të naftës.
Gjithashtu nga Dogana e Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje se me çfarë çmimi është duke hyrë nafta dhe benzina në Kosovë (importi) para një muaj, para një jave dhe gjatë këtyre ditëve të fundit.
Sa i përket çmimeve të karburanteve në rajon, çmimi në Maqedoninë e Veriut është më i lirë se në Kosovë, për eurodiesel, litri tregtohet 1.09 euro, ndërsa benzina 1.19 euro për 1 litër.
Kreu i shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani thekson se në Shqipëri çmimi aktual për naftë është rreth 1.88 euro për një litër, benzina 1.89 euro. Ndërsa, në Serbi nafta tregtohet 1.78 euro për litër derisa për benzinë 1.79 euro.
Ndërkaq, në Mal të Zi, Ministria e Energjisë dhe Minierave njoftoi më 20 tetor se eurodizel do të kushtojë 1.31 euro për litër në dy javët e ardhshme, ndërsa eurosuper do të jetë 1.42 dhe 1.39 euro për litër. Llogaritja tjetër sipas kësaj ministrie do të bëhet më 3 nëntor./KosovaPress