Kampionia në fuqi, Drita ka marrë një fitore të madhe ndaj Llapit, teksa Malisheva e ka mposhtur Dukagjinin në udhëtim me golat e Etnik Brrutit. Ndeshja në Lipjan mes Prishtinës së Re dhe Drenicës është mbyllur baras.
Drita e Zekirija Ramadanit fitoi me shifrat prej 1-0 ndaj Llapit, me golin e shënuar nga Besnik Krasniqi në minutën e 33-të të ndeshjes nga pika e bardhë.
Gjilanasit shënuan edhe një gol tjetër në pjesën e dytë, por që u anulua si pasojë e pozitës jashtëloje.
Nga minutan e 75-të, Drita luajti me një lojtar më pak, pasi golashënuesi, Besnik Krasniqi u ndëshkua me karton të kuq.
Drita i rikthehet fitores, pas humbjes nga Drenica xhiron e kaluar, teksa Llapi pësoi humbjen e katërt sezonale.
Në anën tjetër, në Klinë, mysafirët nga Malisheva shënuan fitore të madhe.
Ishte Etnik Brruti që shkëlqeu me dy gola të shënuar, për t’ia dhënë skuadrës së tij fitoren prej 2-1 në “18 Qershori”.
Brruti golin e parë e shënoi në minutën e 21-të, teksa pas 14-të minutave shënoi Altin Mërlaku për 1-1.
Brruti e shënoi golin e dytë personal dhe të fitores në minutën e 68-të të ndeshjes, duke u rikthyer te fitorja pas humbjes turpëruese nga Ballkani një xhiro më herët.
Ndërkohë, pak aksion pati në ndeshjen Prishtina e Re – Drenica.
Kjo ndeshje u mbyll me shifrat 0-0.
Drenica lëshoi pikë, pasi një xhiro më herët e mposhti kampionen në fuqi, Dritën. Ndërsa, Prishtina e Re tashmë shkon në tetë ndeshje pa fitore.
Pas 12 xhirove, tabelës i prin Prishtina me 26 pikë, e ndjekur nga Ballkani me 23 pikë. Tashmë Drita i ka 20 pikë në vendin e tretë. Dukagjini është një pozitë më poshtë me 17 pikë.
Pozita e pestë i përket Llapit me 16 pikë, teksa po aq pikë i ka edhe Malisheva në vendin e gjashtë.
Pozita e shtatë në tabelë shkon te Drenica që ka 15 pikë, një më shumë se Ferizaj në pozitën e barazhit.
Në pozitat e rënies janë Gjilani me 12 pikë dhe Prishtina e Re me tetë pikë.
Në xhiron e ardhshme, Drita e pret Prishtinën, Ferizaj i bën konak Dukagjinit, teksa Prishtina e Re udhëton te Llapi. Malisheva përballet me Gjilanin në “Liman Gegaj”, ndërsa Drenica e pret Ballkanin në Skënderaj./GazetaExpress/