Strukturat shëndetësore dhe Forcat e Armatosura bashkë në misionin e tyre fisnik, në shërbim dhe mbrojtje të qytetarëve – si themel i sigurisë dhe mirëqenies kombëtare, duke promovuar parandalimin, depistimin e hershëm dhe kujdesin e vazhdueshëm për jetën.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof.Evis Sala dhe Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilluan një takim sensibilizues me gratë dhe vajzat e Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut (RKV) në Vaun e Dejës, me qëllim ndërgjegjësimin për depistimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Ministrja Sala theksoi se Programi Kombëtar i Depistimit të kancerit të Gjirit vazhdon gjatë gjithë vitit dhe apeloi për kontrolle periodike, në mënyrë që të parandalohen sëmundjet e rënda.
“Jemi vërtetë në ditën e fundit të muajit tetor, por Programi Kombëtar i Depistimit për Parandalimin e Kancerit të Gjirit vazhdon gjatë gjithë vitit. Në janar-tetor 2025 janë kryer rreth 16 000 mamografi, nëpërmjet mamografive stacionare dhe lëvizëse – një tregues i ndërgjegjësimi që duhet të vijojë gjatë gjithë vitit, pasi parandalimi shpëton jetë. Ndjesi e bukur për mua që si ministre, por mbi të gjitha si mjeke diagnostikuese të jem mes grave e vajzave që mbrojnë vendin dhe jetën”.